Ditën e sotme në media të ndryshme ka qarkulluar lajmi se kryeministri i i Shqipërisë Edi Rama pasi ka mësuar se kampionia kosovare e boksit Donjeta Sadiku nuk mundet dot të marrë pjesë në kampionatin Botëror që zhvillohet në Indi për shkak të refuzimit të vizës, ka ndërhyrë për t’i dhënë asaj pasaportë shqiptare. Vetëm kështu ajo do të mundet të marrë pjesë në këtë eveniment të rëndësishëm.

Siç ka raportuar Gazeta “Zëri”, Presidenti Meta tashmë e ka mbështetur dhe ka intervenuar në mënyrë që Shqipëria ta pranojë kërkesën e Donjeta Sadikut dhe trajnerit të saj, Besim Brahimi, për t’u pajisur me pasaporta shqiptare me procedura të përshpejtuara. Madje, Donjeta dhe Besimi të shoqëruar nga drejtuesit e federatës kosovare të boksit sot kanë ardhur në Tiranë, ku e kanë kërkuar nënshtetësinë shqiptare, me vendim të Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Krejt kjo për shkak që sportistja e suksesshme kosovare të mos humb gara tjera të rëndësishme që i ka para vetës, siç e humbi Botërorin, sherri i problemeve të udhëtimit, shkruan “Zëri.info”.

Me pasaportë shqiptare ajo mund të udhëtojë pa probleme në shtete të ndryshime për ta përfaqësuar Kosovën në gara të mëdha ndërkombëtare. Sigurisht që ky është një lajm i mirë sepse Sadiku mundet t’i japë ndonjë medalje botërore Kosovës por me pasaportë shqiptare! Por nga ana tjetër, ajo që nuk mund të kuptojmë është se pse shteti shqiptar nuk bën asgjë për sportistët e vet. Ndalemi vetëm tek boksi. Një nga sportistët më të mirë të Shqipërisë në këto vitet e fundit, kampioni absolut Kristian Demaj, është në prag të largimit nga vendi.

Arsyeja është se ai nuk e sheh të ardhmen në këtë vend. Ndonëse ka dalë disa herë kampion i Shqipërisë, ndonëse ka sjellë medalje nga jashtë, ndonëse ka sakrifikuar jo pak për këtë sport, nuk mundet dot të vazhdojë më. Pikërisht sot ai është kthyer nga Gjermani ku ka shkuar për të bërë gati dokumentacionin dhe muajin e ardhshëm pritet të spostohet atje bashkë me familjen e tij. Demaj në fakt është rritur në Gjermani pasi familja e tij kishte emigruar herët në këtë vend. Por para disa vitesh, të gjithë sëbashku menduan të kthehen në Shqipëri duke menduar të ndërtonin këtu të ardhmen e tyre. Por në fakt u zhgënjyen. “Këtu është e kotë të vazhdosh sepse nuk arrin asgjë”- thotë Demaj për “Shkodra Sport”. Në fakt, me pak më shumë mbështetje edhe ai mund të ishte medalist në Europë dhe në Botë sepse talentin e ka por shteti shqiptar nuk ka patur ndër mend të merret me sportistët cilësorë.

Si Demaj janë edhe disa boksierë të tjerë që e kanë lënë sportin dhe tashmë janë emigrantë nëpër Botë. Vetëm nga Vllaznia muajt e fundit janë larguar edhe Marinaj e Shytani, dy kampionë të tjerë. Një vendim i drejtë sepse me sport nuk arrin asgjë. Për këto arsye, para se kryeministri Rama dhe presidenti Meta të ndërhyjnë për t’i dhënë pasaportën shqiptare Donjeta Sadikut që prapëseprapë do të përfaqësojë Kosovën, bëjnë mirë që të mos i lënë sportistët tanë elitarë të largohen nga ky vend. © shkodrasport.com