Partizani ka nisur sot përgatitjet për eliminatoret e Conference League, teksa në pritje për të mësuar kundërshtarin e turit të parë, po lëviz me shpejtësi edhe në merkato, për të kompletuar skuadrën në dispozicion të trajnerit Dritan Mehmeti.

Së fundi “të kuqtë” kanë nisur negociatat edhe me mesfushorin Fjoart Jonuzi, i cili dy sezonet e fundit ka qenë pjesë e Vllaznisë, megjithatë tani është futbollist i lirë, pasi i ka përfunduar kontrata me shkodranët.

SuperSport mëson palët vijojnë bisedimet, por nuk ka ende një marrëveshje, teksa vetë Jonuzi duket i prirur të dëgjojë edhe ofertën e Vllaznisë për rinovim, para se të vendosë përfundimisht se cilën fanellë do të veshë sezonin e ardhshëm.

Mesfushori 26-vjeçar ka qenë një nga pikat më të forta të kuqebluve të dy sezonet e fundit me Vllazninë, duke qenë thuajse gjithmonë titullar në krah të Krymit në mesfushë, ndaj edhe në Shkodër do të provojnë deri në fund ta mbajnë ende.