Partizani është kthyer në kryesimin e Superiores, duke iu bashkuar Tiranës në vendin e parë pas ndeshjeve të javës së 26. Të kuqtë kanë fituar me shifrat 4-1 ndaj Kastriotit, në një ndeshje që pa protagonistë thuajse të gjithë emrat e sulmit të ekipit kryeqytetas.

Fundi i një “makthi” për të kuqtë që ishin ndalur në barazime në dy ndeshjet e mëparshme ndaj krutanëve.

Ndeshja ishte e hapur për rreth 30 minuta, pasi skuadrat nuk krijuan shumë rreziqe. Por goli i Carës theu “heshtjen” dhe më pas nisi një breshëri golash që panë Matondon e Selmanin të shënonin për të kuqtë dhe Mihanën për miqtë para fundit të fraksionit të parë të lojës.

Në të dytën, ishte Kastrioti më ngulmues, por Partizani shfrytëzoi kundërsulmet për të gjetur edhe golin e katërt me Mba, i cili vulosi suksesin 4-1 që kthen të kuqtë në vendin e parë.

PARTIZANI-KASTRIOTI 4-1

35′ Cara, 40′ Matondo, 45’+2′ Selmani, 78′ Mba / 44′ Mihana