Sezoni ka nisur, por merkatoja do edhe nëntë ditë për të përfunduar dhe te Partizani nuk e kanë mbyllur me afrimet.Trajneri Kolela e ka pranuar publikisht se kërkon një mbrojtës qendre dhe klubi po punon për ta sjellë.

Marcelino Preka, i cili dje ishte në fushë me Bylisin me shumë mundësi ka luajtur ndeshjen e fundit me mallakastriotët. 19- vjeçari spikati në miqësoren e zhvilluar në Pogradec mes Bylisit dhe Partizanit dhe menjëherë pas kësaj, drejtuesit e të kuqve nxituan të nisin bisedimet me presidentin Besnik Kapllanaj, i cili duket se nuk dorëzohet lehtë.

Gjithsesi, “Panorama Sport” mëson se palët janë në bisedime intensive. Lojtari është nën kontratë dhe gjasat më të mëdha janë që Partizani të paguajë një shifër të arsyeshme dhe ballshiotët të mbajnë një përqindje të konsiderueshme të kartonit në rast rishitjeje.

Vetë lojtari e dëshiron transferimin te të kuqtë. Në marrëveshjen për shkodranin pritet të përfshihen edhe huazime, me Bylisin, që ka kërkuar Rexhepin.Gjithsesi, planet kanë ndryshuar dhe ai që ka dalë jashtë planeve duket se është Aldo Teqja. Gjithsesi, mbetet për t’u parë nëse drejtuesit e të kuqve janë të gatshëm të ofrojnë gardianin në huazim te ballshiotët.

Në dyshim është edhe gatishmëria e portierit.