Vllaznia për femra arriti edhe njëherë të ripërsërisë vetveten. Vajzat kuqeblu u kualifikuan për të dytin sezon rradhazi në 32 ekipet më të mira të Europës. Kjo tashmë me ëndrrën akoma më të madhe, për të arritur në grupet e Champions League. Shkodranet kaluan dje me rezultatin 1-0, ekipin e Myjava. Ku gjithçka u vendos nga një gol i Shales.

E nëse skuadra ka një përbërje cilësore futbollistesh, një president si Lazer Matija, ku përveç se ka investuar në futbollin e femrave është edhe një pasionat i madh i këtij sporti. Po ashtu nië staf teknik dhe mjekësor super profesionist, ka edhe një trajner të shkëlqyer. Fjala është për Nikolin Leka. Njeriun fjalë pak e punë dhe suksese shumë.

Çdo kush në vendin e Nikolinit do kishte rrahur gjoksin përpara të gjithëve për arritje të tilla. Por trajneri shkodran shfaqe gjithmonë modestinë e tij dhe ambiciet e tij për tu përmirësur në çdo sezon. Dhe në fakt ia ka dalë, kjo sepse Vllaznia është çdo sezon kampione e kampionatit dhe e kupës, si edhe një ndër skuadrat e femrave më të forta në Ballakan e po ashtu në Europë.

Pa frikë Leka mund të cilësohet jo vetëm si trajneri më i suksesshëm tek futbolli i femrave, por më i suksesshmi në historinë e futbollit shqiptar. Trofetë dhe sukseset e tij nuk i ka arritur ende askush, e sidomos në një sport si futbolli i femrave ku gjithçka është edhe më e vështirë. Prandaj profesor Nikolini, qëndro edhe njëherë modest dhe kësaj rradhe dërgoje ëndërrën deri në fund, deri në grupet e Champions League.
Endri ÇINARI