Ty t’lumtë moj cucë! Vazhdo vrapo e fito! Shqipërinë do ta bëje krenare nëse ajo do të të kishte dhënë një pistë vrapimi për t’u stërvitur, nëse do të kishte investuar për ty, sepse e dinim në fakt çfarë talenti ti kishe. Por kjo nuk ndodhi!

Ti bëre krenare veten e jo Shqipërinë. Atë ndoshta e bëre me turp, sepse u zgjua papritur e të kushtoi statuse sapo ti fitove, por sinqerisht ne atë mbrëmje as garat nuk po ndiqnim. Na lajmëruan mediat, mundësisht ato të huajat që ti ishe kampione.

E megjithatë ti nuk u zemërove, por u mbështolle me atë flamur kuq e zi. Ne pellazgët krenarë rramë me statuse, nga më i madhi te më i vogli, nga më i gjati te më i shkurtëri, nga më plaku te më i riu e me patetizëm montuam video ministrore me këngë patriotike për ty. Ty nuk të bëri Shqipëria kampione, por vetëm puna jote. Ti e bëre Shqipërinë kampione, kurse ajo bëri statuse në rrjetet sociale për ty.

Tani ki durim edhe pak ditë Luizë. Sa të të presim zyrtarisht në aeroport, të të ftojmë në zyrat tona, të dalim në foto me ty, të të dhurojmë ndonjë çelës qyteti apo ndonjë qytetari nderi. Se helbete na duhen.

Pastaj ti vazhdo, vrapo e fito! Ne këtu jemi me statuse gati e duart në formë shqiponje si pellazgë të paepur e krenarë.