Luiza Gega bëri historinë e atletikes shqiptarë në kampionatin europian që po zhvillohet në Mynih të Gjermanisë. Vendi i parë në garën e 3 mijë metrave me pengesa, është dëshmi e një firme fantastike që po përjeton këto vitet e fundit atletja jonë e talentuar.

Përtej normalitetit sportiv, ajo ka kaluar çdo parashikim dhe pritshmëri të një sportisteje që mbush 34 vjeç pas pak muajsh. Mirëpo vitet mbi supe janë një element jo shqetësues për Luizën dhe trajnerin Taulant Stërmasi, të cilët kanë punuar aq fort muajt dhe vitet e fundit, sa për të shkuar tek ky rezultat historik.

Vendi i pestë në botërorin e Oregonit, thyerja rekordeve kombëtare garë pas gare dhe tanime vendi I parë në Europian janë dëshmi të një atleteje që nuk njeh limite, përtej mundësive dhe mbështetjes financiare, e cila për të duhet të kishte qenë edhe më e madhe.

E megjithatë të paktën sa i takon këtij rezultati fantastik në europianin e Mynihut ku ajo dominoi nga fillimi në fund garën kundrejt rivaleve gjermane Majer dhe britanikes Bwrd, Gega do të ketë mundësi të përfitojë nga shpërblimet shtetërore për rezultatet e sportisteve elitare.

Si mbretëresha e Europës në 3 mijë metra me pengesa, Luiza Gegës i takojnë 4 milionë leke të reja, që nuk barazohen kurrsesi me lotët e atletes pas mbylljes së garës dhe krenarinë e valëvitjes së flamurit kuqezi në Mynih.