Pas një periudhe 7 mujore me dyer të mbyllura për shkak të vendimit të institucioneve shtetërore, pallati i sportit “Qazim Dervishi” ka hapur sërish dyert për ekipet sportive për stërvitje. Dhe i pari që ka zbritur në parketin e tij ka qenë ai i basketbollit të femrave të Vllaznisë.

Ka qenë drejtori Mark Kroqi që ka dhënë lajmin e mirë për këtë gjë, duke e shoqëruar edhe me fjalët e mira për punonjësit e pallatit të sportit për punën e bërë kohët e fundit për t’ia ndryshuar pamjen këtij ambjenti sportiv.

“Sot është një ditë krejt ndryshe për klubin Vllaznia, për sportistët, për trajnerët, stafin, sepse pas një periudhe 7 mujore po hapim sërish pallatin e sportit, në bazë të urdhërit që ka lëshuar kryetarja e Bashkisë.

Siç e shihni, këtu është punuar, parketi është krejt ndryshe dhe e them me krenari e bindje që ky është parketi më i mirë që ka Shqipëria. Ky parket ka qenë, këto ambjente kanë qenë por janë mirëmbajtë. Unë gjej rastin të falenderoj përgjegjësin e pallatit të sportit Myrto Tevija dhe përmes tij të gjithë punonjësit të cilët janë shumë të përkushtuar për punën.

Ky është një rast i shkëlqyer për sportistët që pas kaq shumë muajsh vuajtje dhe stërvitje në kushte shtëpie apo në pistën e stadiumit, tashmë të kthehen sërish në pallatin e sportit në kushte më të mira./SHKODRA-SPORT.COM/