Në këto momente në Gjermani po luhet ndeshja mes Mainz dhe Bayern Munchen. Takim që është i vlefshëm për 1/8 të kupës së Gjermanisë e patjetër si favoritë ka skuadrën legjendare bavareze. Që në këtë sezon kërkon të fitojë gjithçka mes kompeticioneve vendase dhe atyre europiane.
E nëse futbollistët e Bayernit i njohin të gjithë, e madje edhe ata të stolit e njëjta gjë nuk mund të thuhet për ata që luajnë me Mainzin.
Por një emër që ndodhet në stol dhe që për shqiptarët e shkodranët tingëllon bukur është ai i Brajan Grudes. Sulmuesi i rritur në akademinë e futbollit të Mainzit tashmë prej disa kohësh është pjesë e skuadrës së parë.
Madje para 10 ditësh ai bëri edhe debutimin e tij në Bundesliga kundër Dortmundit. Ku mori minutat e tij të para si profesionist në moshën vetëm 18-vjeçare.
Edhe sonte pritet që për futbollistin me origjinë nga Shkodra të ketë disa minuta në kupë. Për Gruden pritshmëritë janë të mëdha, pasi ai konsiderohet si një nga futbollistët më të talentuar në Gjermani.
Madje ai është edhe pjesë e kombëtares u-19 të Gjermanisë. Duke shkëlqyer me gola dhe asiste e duke mbajtur edhe shiritin e kapitenit në disa ndeshje që ka zhvilluar me të rinjtë gjermanë.
Endri CINARI