Ashtu si shumë kampionate në botë, edhe Abissnet Superiore është ndërprerë për t’u lënë vend angazhimeve të skuadrave të Kombëtares.
Pikërisht, për shkak të kësaj ndërprerjeje, në klubin e Vllaznisë kanë menduar që ekipi të qëndrojë 48-orë pushim, ku futbollistët të rikuperojnë energjitë.

Të mërkurën, kuqeblutë do të zbresin në fushë për të nisur përgatitjet për dy ndeshjet ndaj Flamurtarit për turin e parë të Kupës dhe atë ndaj Teutës për llogari të javës së gjashtë.

Ndërkohë, është menduar që këto ditë të ndërprerjes së kampionatit, do t’u shërbejnë për mirë, pasi dy futbollistët e mesfushës, Liridon Latifi dhe Lorik Boshnjaku të dëmtuar, janë kthyer në një problem për Mirel Josën.

Mesfushori Boshnjaku ka pësuar një tërheqje në kofshën e këmbës dhe llogjikisht i duhet kohë për t’u rikuperuar. Megjithatë, futbollisti kosovar mund të jetë gati ndaj Teutës, por mbetet për t’u parë akoma nga stafi mjekësor.

I padisponueshëm në këto javë ka qenë edhe Liridon Latifi. Mesfushori anësor është drejt riaftësimit, teksa në vazhdim Latifi do të nisë edhe të stërvitet me grupin. Të dy futbollistët kosovar janë pika të forta te kuqeblutë dhe mungesa e tyre ka pështjelluar edhe llogaritë e stafit teknik, me në krye trajnerin Mirel Josa.

Megjithatë, nuk mbaron me kaq, pasi edhe mbrojtësi Darko Bulatoviç u dëmtua në këmbë pas ndeshjes me Egnatian dhe futbollisti u detyrua të mos zbriste në fushë në ndeshjen ndaj Kastriotit, por siç duket tashmë çdo gjë ka shkuar mirë dhe ka kaluar, teksa edhe pauza do e ndihmojë të jetë gati.

Ndërkohë, Flori Spahija, Geralb Smajli dhe Antonio Delaj do të jenë pjesë e Kombëtares U-20 për dy sfidat miqësore, ndaj Kroacisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Maringlen ZHIVANI