Tërbuni është “shtangur” në Luz. Një gol në të 89-ën i dogji, në një kohë që po i bënin llogaritë me një pikë. Pukjanët e kanë me gjykimin dhe konkretisht me Laver Allën, ndërsa reklamojnë dy penallti të mohuara. Është drejtori Viktor Gjoni që flet për “Panorama Sport” dhe i kërkon FSHF-së të marrë masa.

“Pavarësisht ndonjë paqartësie në fushë, kemi pësuar vetëm tri minutat e fundit. Përgjegjësia bie mbi kryesorin Laver Alla. Si ka mundësi që caktohet i njëjti gjyqtar një ndeshje po e një jo!

Na mohoi dy penallti. Ishim përgatitur maksimalisht për këtë sfidë dhe nuk e prisnim të dilnim pa pikë. I bëj thirrje FSHF-së të marrë masa për këta gjyqtarë të njëanshëm që luajnë me djersën e futbollistëve.

Kërkoj që në këto pesë takime të mbetura të kemi një gjykim sa më të drejtë. Janë në lojë edhe 15 pikë dhe ne mund t’ia dalim të pozicionohemi në vend të pestë ose të katërt të klasifikimit. Do të punojmë shumë gjatë gjithë javës për të përgatitur anti-Besëlidhjen.

Do të kërkojmë me çdo kusht fitore. Jemi në muajin e madhërishëm të Ramazanit dhe bashkë me urimin, jam i detyruar t’u kërkoj lojtarëve që të paktën ditët e ndeshjeve të mos agjërojnë, pasi e reflektojnë lodhjen”, tha mes të tjerash drejtori.