Tashmë kur mandati i tij si deputet në Kuvend është në ditët e fundit, Selami Jenishehri e ka të vështirë të largohet nga vëmendja e publikut. I njohur për batutat e tij nga foltorja e parlamentit por jo vetëm, Jenishehri ka hedhur një hap tjetër.

Pas Alban Xhaferit dhe Almiro Gurakuqit, vendos publikisht kandidaturën për të blerë aksionet e KF Vllaznia sh.a. Në një publikim në profilin e tij në Facebook, Jenishehri shkruan:

“Sot erdha nga Tirana te takoja zj. V. Ademi per te ble une Vllaznine, po nuk erdhi ne Bashki. Do e vej ne dijeni me shkrim”.

Duket se deputeti Jenishehri është mjaft i vendosur që të jetë ai pronari i KF Vllaznia sh.a. Pasi ka ardhur nga Tirana dhe nuk ka mundur ta takojë kryebashkiaken e Shkodrës, Jenishehri paralajmëron një veprim tjetër në kuadër të gatishmërisë për të kontribuar për futbollin në Shkodër, kontribut që në fakt, jo pak vetë ia njohin në këtë qytet. Jenishehri shkruan:

“Njoftimin tim me shkrim qe do i dergoj zonjes V. Ademi do ta baj publike sa ta postoj, tifozeria e Vllaznise asht SHPIRTI IM”.

Kaq është dashur që Jenishehri të marrë vëmendjen, të paktën në rjete sociale. Nuk kanë munguar edhe komentet, sigurisht me humor, për një personazh, i cili edhe pas përfundimit të mandatit të deputetit, premton se do të jetë aktiv.

Më shumë se si kryetar i Partisë së Pensionistëve, Selami Jenishehri do të jetë në fokusin e rrjeteve sociale, si një personazh që nxit buzëqeshjen tek shumica e tyre që e lexojnë. /ShkodraWeb/