Nisja e mirë e kampionatit dhe sidomos dy fitoret e fundit ndaj Kukësit dhe Tiranës, kanë entuziasmuar të gjithë në Shkodër. Përfshi këtu edhe specialistët dhe veteranët e Vllaznisë të cilët i gjen në çdo ndeshje në tribunën VIP të stadiumit “Loro Boriçi”.

Njëri prej tyre është legjenda e portës Paulin Ndoja. Në një prononcim të dhënë për “Shkodra Sport”, ai është ndalur edhe tek skuadra aktuale dhe ka shprehur opinionin e tij duke qenë optimist për një sezon të mbarë që të jep shpresa për fitimin e titullit kampion.

“Vlerësoj shumë ekipin, vlerësoj shumë lojtarët që janë pjesë e tij, vlerësoj mbi të gjitha trajnerin Josa. Për mendimin tim ai është ndër strategët më të mirë që ka Shqipëria. Fatmirësisht njeh edhe Shkodrën mirë dhe këtë vit besoj se ka me pasë sukses.

Vllaznia vërtetë u eliminua në Kupat e Europës, por nuk është gjithçka ajo. Kemi fituar Kupën dy vitet e fundit ndërsa sivjet ndoshta ka ardhur rradha të fitojmë kampionatin. Me 80 apo 90 për qind besoj se do ia dalim.

Këtë besim e bazoj tek trajneri, tek sportistët që mua më pëlqejnë për lojën që bëjnë. Me punën që do të bajnë dhe me kërkesën e llogarisë nga Josa, Vllaznia do të arrijë të shkojë aty ku ka objektivin”- eshte shprehur Paulin Ndoja./SHKODRA-SPORT.COM/