Alen Sherri pritet të jetë pasardhësi i Alban Hoxhës. “Panorama Sport” zbulon nga burime të sigurta në klubin e kuq se portieri shkodran është më i preferuari. Aktualisht përveç Hoxhës, Partizani ka në dispozicion edhe dy portierë të tjerë: Aldo Teqja dhe Livio Malaj.

Megjithatë, gjasat janë që të afrohet Sherri menjëherë pas përfundimit të kampionatit. Palët mësohet se janë futur prej ditësh në bisedime.

Por, duket se për portierin shkodran do të ketë një derbi, sepse për të interesohet edhe klubi i Tiranës. Megjithatë, mbetet për t’u parë se si do të shkojnë bisedimet mes Alban Hoxhës dhe Partizanit, pasi në rast se palët bien dakord për një rinovim të kontratës deri më 30 qershor, kur dhe skadon marrëveshja, atëherë klubi i kuq mund të bëjë prapakthehu, duke hequr dorë nga Sherri.

Sidoqoftë, e sigurt është se te Partizani e kanë marrë seriozisht për t’i paraprirë një largimi të mundshëm të Hoxhës. Edhe pse kapiten ekipi, ai nuk ka marrë ende ofertë zyrtare nga klubi për zgjatjen e marrëveshjes.

Sherri është i preferuari dhe më e rëndësishmja është se portieri vjen me parametra zero, duke qenë se i përfundon kontrata me Vllazninë.