Bylis – Vllaznia (2-2) u mbyll në një mënyrë kaotike pas dy vendimeve të njëpasnjëshme të arbitrit kryesor Kuka. Në fund të ndeshjes, arbitri sinjalizon për 11-metërsh, ndërsa vetëm pak më pas e anullon atë.

Një vendim i cili plasi sërish polemikat në Superiore, këtë rast jo për gabim të arbitrit, pasi penalltia nuk ekziston, por nga mënyra sesi u anullua edhe pse në Shqipëri ende nuk është vendosur VAR.

Specialisti i arbitrimit Albano Janku, në studion e “Pressing” u shpreh se vendimi ishte i drejtë dhe gjithçka ndodhi pas insistimit të gjyqtarit të katërt.

“Ishte një vendim i gabuar i Kryesorit Kuka në fillim. Sepse duket sikur e ka prekur me dorë. Por gjyqtari i katërt ka insistuar me forcë që topi ka prekur shpinën e futbollistit të Vllaznisë.

Në momentin e parë u gabua nga kryesori. E rëndësishme është që më pas u dha vendimi i duhur. Me ndërhyrjen e grupit të arbitrave u mor dhe ky vendim i duhur. Gjyqtari i katërt ka patur një pamje më të qartë dhe ka vendosur për këtë”, tha Janku./newsport/