Një grup përgatitësish atletikë shqiptarë kanë pasur luksin këto ditë që të marrin këshilla nga një legjendë e futbollit botëror, trajneri turk Senjol Gynesh. Tekniku i cili drejtoi Turqinë drejt vendit të tretë në Botërorin 2002, ka dhënë mendimet e tij pak ditë më parë para një grupi përgatitësish atletikë shqiptarë, të cilët vizituan Turqinë si pjesë e një grupi pune të organizuar nga UEFA.

UEFA kishte ftuar në Stamboll përgatitët atletikë nga klubet shqiptare, ashtu si edhe kursantët që po pajisen me licencën përkatëse nga Lituani, Bullgaria dhe Gjeorgjia.

Gjatë ditëve të punës, kursantët kanë vizituar klube të ndryshme dhe një nga ndalesat ka qenë edhe te Beshiktash, ku trajner është pikërisht Senjol Gynesh.

Ky i fundit, nuk ka nguruar që të japë shpjegime para përgatitësve atletikë se çfarë kërkohet tanimë në nivelet më të larta të futbollit botëror dhe si duhet të punojnë që të bëjnë gati lojtarët për të qenë në maksimum për takimet me intensitet të lartë.

Ai ka treguar pak edhe nga eksperienca personale, në klub e kombëtaren turke, duke dhënë një leksion të mirëfilltë para tyre në stërvitjen e Beshiktash, edhe pse në fakt UEFA i kishte dërguar atje vetëm për të vëzhguar se si punohej në klubin e njohur turk. /vipsport/