Vllaznia-Partizani ishte ndeshja e javës së 12-të që u zhvillua sot për Superligën në “Loro Boriçi”.
Takimi i përfunduar në shifrat 1-0 për shkodranët solli edhe disa “pikante” që “Shkodra Sport” i sjell për lexuesit e faqes.

-Një baner i hapur për dhunën në familje para ndeshjes mes Vllaznisë dhe Partizanit. Të dy skuadrat tregojnë sensibilizimin e tyre për jëtë fenomen.

-Një prani jo aq e madhe e tifozëve. Pritej një numër më i madh mbështetësish.

-Ka prani edhe tifozëve të kuq në tribunat e “Loro Boriçit”. Madje duke shpalosur edhe logon e “Guerrils”.

-Ovacione në minutën e 5-të ku Lafiti nga një pozicion i prirët jep mirazhin e një goli.

-Duel ish-ësh, Hakaj tek Vllaznia dhe Marku e Gligorov tek Partizani ishin përballë ish-skuadrave të tyre.

-Zogovic detyrohet të ndërrojë fanellën, kjo pasi gardiani kuqeblu ka ngjyrën e ngjashme me lojtarët në fushë. Nga ngjyra lejla, malazezi “ngjyroset” me gri.

-Trajnerët nuk pushojnë duke dhënë udhëzime për lojtarët e tyre. Daja “kapet” shpesh me Rrapajn për vendosjen e tij në fushë.

-Një rast i pabesueshëm i humbur nga Djurdjevic në fundin e pjesës së parë. Sulmuesi nuk arrin të shtyjë topin në rrjetë fare pranë portës.

-Një tifoz futet në fushë kur po bëhej gati të fillonte pjesa e dytë. Forcat e sigurisë e neautrolizojnë direkt dhe e nxjerrin jashtë fushës së blertë.

-Ka pretendim për penallti nga ana e Vllaznisë për prekje me dorë të topit nga Belica. Kryesori Lata nuk mendon ashtu dhe akordon këndore.

-Në të 65-tën, Krymi ndëshkohet me të kuq. Duartrokitje të forta nga publiku shkodran pasi mesfushori u detyrua të merrte të kuqin që ekipi të mos pësonte gol.

-Ka duartrokitje edhe për Herald Marku në momentin e zëvendësimit. Mesfushori ia kthen mbrapsht duartrokitje ish-tifozëve të tij tek Vllaznia.

-Në një moment mungon topi në fushë. Artim Pollozhani, zëvendës trajneri i Partizanit merr një top dhe e shkelmon fort për tia hedhur lojtarëve të Vllaznisë që të rifillonin lojën.

-Ka një zënkë me lojtarësh ku Junior tenton të cojë me zor nga toka Jonuzin i cili qëndronte i shtrirë. Çdo gjë shuhet në çast.

-Tensionohet situata në fund ku ka 2-3 shishe të hedhura nga tribuna. Kjo për shkak se tifozët revoltohen që arbitri nuk dha një faull në favor të Hoxhajt.

-Në fund entuziasëm tek kuqeblutë ndërsa zhgënjim tek Partizani, lojtarët e së cilës gjithsesi shkojnë dhe duartrokasin tifozët që kishin ardhur nga Tirana.
Endri ÇINARI