Pavarësisht se luhej në orar jo fort të përshtatshëm, në stadiumin e të kuqve ndodheshin rreth 3 mijë spektatorë.

* Ndeshja nis me vonesë për shkak te një të çare në portën e Vllaznisë. Një nga punëtorët e stadiumin rregullon problemin dhe i hap rrugën nisjes së lojës pas rreth 6 minutash vonesë.

* Aralica dhe Juriç e ndjekin ndeshjen në tribunën e gazetarëve, teksa janë mjaft impulsivë herë pas here. Megi Doçit, kapitenes së Vllaznisë së femrave, gjithashtu i bëjnë një vend për të ndjekur sfidën.

* Një numër i madh menaxherësh dhe agjentë futbollistësh ndodheshin dje në stadiumin “Partizani”. Kjo prani e shtuar e tyre ndodh për shkak se jemi në periudhë merkatoje dhe shëtitja nëpër stadiume është pjesë e punës.

* Trajneri i Kombëtares, Silvinjo dhe ndihmësit e tij, Zabaleta dhe Doriva ishin të pranishëm në stadiumin “Partizani”. Ata e ndoqën ndeshjen në tribunën VIP, teksa në pushim u ishte rezervuar një tavolinë në ambientet e brendshme, me pamje nga fusha.

Trajneri qëndroi duke parë ndeshjen deri rreth minutës së 85-të. Nuk dihet arsyeja, por duhet të themi se ai humbi golin e vonë të përmbysjes së Vllaznisë dhe momentin më të ndezur të kësaj ndeshjeje. Mesa duket e kishte parashikuar barazim këtë ndeshje. Skuka, një lojtar, që mund t’i interesojë, u aktivizua vetëm në pjesën e dytë.

* Festë shumë e ndezur e Josës, që nuk zgjedh të takojë Kolelën pas fërshëllimës së fundit të gjyqtarit, por shkon direkt në tunel.

* Pas ndeshjes, disa fëmijë sfidojnë rojet e sigurisë dhe futen në fushë. Ndërkohë, një i ri futet nga tribuna VIP në fushë, me rojet e sigurisë, që e kapin dhe më pas ia dorëzojnë policisë.

* ”Vllaznia nuk është Luzi”, dëgjoheshin tifozët shkodranë, duke ngacmuar lojtarët e Partizanit, të cilët gjithsesi u mbështetën dhe u duartrokitën nga tifozët e tyre, pavarësisht kësaj humbjeje që dhemb.

* I gjithë stadiumi i Partizanit kishte pësuar disa ndryshime në këtë ndeshje. Gjithçka dukej shumë më e kuruar, teksa mund të themi se shumë pak gjëra mungojnë nga finalizimi i tij. Gjatë javës në impiant janë bërë punime, me presidentin Gazment Demi, që ka qëndruar thuajse gjithë kohës kur punohej, për t’u siguruar që gjithçka të shkonte me ritmin e duhur.

I gjithë ky kujdes i tij ka ndodhur për shkak të vizitës së trajnerit të Kombëtares, por edhe rëndësisë së ndeshjes, pasi luhej ndaj një rivali mjaft prestigjioz.