Shumë pak tifozë e ndoqën nga shkallët e stadiumit ndeshjen Vllaznia-Bylisi, edhe pse ora 15:00 e së shtunës ishte e përshtatshme dhe, për më tepër, me një kohë ideale. Kishte rreth 500 vetë të pranishëm në të gjitha tribunat, teksa “Panorama Sport” ju sjell të gjitha pikantet.

* E fillojnë menjëherë me Zguron, tifozët e Vllaznisë.

* Pas 20 minutave të para nuk ka munguar as ironia e atyre pak tifozëve në tribunat qendrore në drejtim të drejtuesve të klubit e ekipit. “Paskeni ndryshuar shumë, sa kot e hoqët Josën…”

* “Çojini në kishë të Laçit se këtyre s’u ban derman kush”, ishte njëra nga batutat e tifozërisë shkodrane.

* Mevlan Adili rikthehet si “ish” në “Loro Boriçi”, këtë herë në mbrojtjen e Bylisit. Pas ndeshjes, ai i falet zotit për rezultatin.

* “Turp, turp, turp, ikni, ikni, ikni”, ishin thirrjet e tifozëve shkodranë në drejtim të ekipit të tyre.

* Trajneri i ekipit të Bylisit, Naxhi Shensoi, ka folur para mediave për acarimin me gjyqtarin e takimit. “Nuk është aspak etike dhe nuk duroj as atë dhe asnjë tjetër që të më thotë gjatë një ndeshjeje, mbylle gojën.Disa herë përsëriti këtë frazë, kjo më bëri të bëj atë kundërshtim ndaj tij”, u shpreh për mediat tekniku Shensoi.