Vllaznia-Teuta nuk u ndoq as nga 400 tifozë. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha pikantet e ndeshjes së djeshme në “Loro Boriçi”.

* Takimi nuk nisi në 15:00, por në 15:09. Vonesa erdhi për shkak se ambulanca nuk ishte e pranishme në stadium, pasi ishte bllokuar në hyrjen kryesore të impiantit prej një makine që kishte zënë rrugën.

* Në pjesën e parë tifozët hapën një banderolë, ku thumbonin klubin: “Me politikë = Kategoria I – Mas Politikës – Europa”.

* Tre lojtarë lanë fushën të dëmtuar dje, pikërisht Gjinollari i Teutës, që u fut si zëvendësues në pjesën e dytë, si dhe Boshnjaku e Çoba të Vllaznisë. Ky i fundit u duartrokit nga ata pak tifozë.

* Shiritin e kapitenit te Vllaznia në ndeshjen e djeshme e mbante Esin Hakaj, ndërsa Gurishta nuk luante për shkak dëmtimi.

* Pasi u dhanë 10 minuta shtesë në fund, tensioni ishte i madh në tribunën qendrore dhe pankinën shkodrane. Arbitrat u kontestuan edhe nga durrsakët, që i kërkuan llogari kryesorit Bastari për vendimin që mori, duke mos dhënë penallti. Në një moment pati edhe syze të hedhura në drejtim të arbitrave nga tifozët kur ata po i drejtoheshin tunelit.