Partizani do të luajë nesër një sfidë tepër delikate e të vështirë kundër Laçit në transfertë, jo vetëm sportivisht, por dhe për klimën që e rrethon. Ky duel, nuk ka nevojë për shumë fjalë që të kuptohet rëndësia e tij, sidomos në këtë periudhë kampionati dhe në këto pozita ku janë ekipet.

Akuza, deklarata, kritika, kundërakuza dhe ironi, fjalët mes dy klubeve nuk kanë munguar në vigjilje të takimit. Laçi dhe Partizani duan titullin kampion dhe presioni i javëve të fundit, ka nisur të ndihet në të dyja kampet, por më shumë në kampin kurbinas, duke parë se janë shkëputur disi nga kreu dhe fitoren kundër të kuqve, e kanë detyrim për të mbajtur gjallë shpresat e titullit.

AKUZAT E KURBINASVE

Para kësaj ndeshjeje ka pasur kritika nga ana e Laçit, madje deri në limitet e akuzave, duke thënë se Partizani po i fiton ndeshjet pa u djersitur kundër Kastriotit dhe Kukësit. Me batutë, nga ekipi kurbinas i referohen një deklarate të Ndreut, që i quan lojtarët “piktorë”, dhe me këtë epitet, Laçi i konsideron këto skuadra si “ekipe piktorësh”, por nuk është kjo vetëm një rastësi polemike…

KUPA E SHQIPËRISË

Edhe ndeshja e fundit mes Partizanit dhe Laçit, në Kupën e Shqipërisë, u shoqërua me shumë polemika, për shkak të standardit të arbitrimit të Kridens Meta. Madje, ky i fundit ka përfunduar edhe në Prokurori pas një kallëzimi penal nga ana e klubit të kuq.

Edhe bilanci i Partizanit këtë sezon kundër Laçit, nuk është aspak i mirë. Dy barazime dhe dy humbje, përfshirë dhe eliminimin nga Kupa e Shqipërisë. Pra, Partizanit i duhet një përmbysje në Laç, jo vetëm për të hedhur poshtë akuzat nga klubi kurbinas, por edhe për të rregulluar bilancin kundër ekipeve rivale. Gjithashtu, edhe për ecurinë kundër ekipeve “big”, pasi të kuqtë nuk kanë asnjë fitore ndaj tyre këtë sezon…

PARTIZAN, MBROJE RAMËN…

Partizanit i duhet të fitojë përballë Laçit për të mbrojtur edhe fjalët e Olsi Ramës, i cili tha se pas ndeshjes në Kurbin, do të shikojë çfarë deklaratash do të bëjë klubi i Laçit.

Por, përveç faktit që duhet të mbrojnë fjalët e drejtorit të tyre, lojtarët e Partizanit duhet të fitojnë edhe për revansh, një hakmarrje, për atë eliminim nga Kupa e Shqipërisë që dhe sot përmendet dhe mbahet mend mirë në kampin e kuq. Qartazi, kjo sfidë ka shumë brenda për Partizanin e jo vetëm presionin e tri pikëve…

GATI PËR “LUFTË” SPORTIVE…

Nëse kjo sfidë pritej të ishte shumë e luftuar sportivisht brenda fushës së lojës edhe para se të bëheshin deklarata publike, tashmë është edhe më e sigurt se kjo sfidë, nuk do të kalojë lehtë. 90 minuta të gjata në Laç, ku të dyja ekipet duan me patjetër fitoren për arsyet e shumta të lartpërmendura.