Teksa e gjithë vëmendja është përqëndruar te finalja e Conference League, situata te Kukësi nuk është aspak pozitive. Burime të besueshme pranë klubit verilindor bëjnë me dije për Newsport.al që lojtarët nuk kanë pranuar të dalin sot në stërvitje.

Shkak për këtë vendim unanim të tyre janë bërë rrogat e pashlyera prej muajsh. Një situatë që vjen pikërisht para një ndeshje delikate siç është ajo me Tiranën të enjten në “Selman Stërmasi”.

Edhe pse drejtuesit kanë premtuar pagat do të likuidohen pas përfundimit të përballjes së fundit, futbollistët e kanë bojkotuar seancën stërvitore të planifikuar për të zhvilluar paraditen e sotme. Ndeshja Tirana – Kukësi është programuar të zhvillohet të enjten në orën 17:00.

Kukësi synon vendin e katërt duke shpresuar në një hap fals të Vllaznisë e cila përballet në transfertë me Kastriotin. Aktualisht shkodranët gjenden në vendin e katërt me 52 pikë, aq sa edhe verilindorët në të pestin. Ndërkohë Tirana ka siguruar matematikisht titullin kampion prej dy javësh dhe ndaj Kukësit do të zbresë në fushë vetëm për të respektuar kampionatin. /Newsport/