Të rinjtë shkodranë nuk janë më tifozë të Gjermanisë. Këtë e ka pohuar së fundmi Elvis Plori, trajneri i Vllaznia U-21. Realisht, gjithmonë jemi mësuar që në Shkodër të ketë mbështetës të flaktë të Gjermanisë, por duket se ky trend ka ndryshuar kohët e fundit.

“Shkodra me Gjermaninë? Ka shumë tifozë gjermanë, por tani ka mbetur mosha më e madhe. Po të bësh krahasim me vitet e mëparshme, tani djemtë e rinj, pas viteve 2000, nuk janë më me Gjermaninë.

Një sondazh i yni te ekipi para fillimit të Botërorit, e shoh se të rinjtë nuk janë më tifoz me Gjermaninë. Kush është tifoz me Gjermaninë tani është ose për hatër të babit ose të xhaxhait”,-tha ai.

Megjithatë, siç është karakteristikë për shkodranët, Plori tha edhe një batutë që përdornin më parë në Shkodër, për të treguar reagimin e burrave kur humbiste Gjermania.

“Ne kur kemi parë burra më para këtu duke qarë që mund të kenë pasur hall të shkretët, ndoshta i ka ndërruar jetë babai i tyre, ne thonim i ka humbur Gjermania”, tha trajneri i Vllaznia U-21, Elvis Plori.
Maringlen ZHIVANI