Sezoni dominues i Palermos në Serinë D flet edhe shqip, me mesfushorin Erdis Kraja dhe mbrojtësin Masimiliano Doda të cilët po lënë shenjë duke luajtur rregullisht në radhët e klubit të njohur italian i cili ra mes amatorëve pas falimentimit.

Dy futbollistët janë bërë pjesë thelbësore e projektit të ringritjes dhe klubi parashikon që eksperienca e tyre në Sicili të vazhdojë edhe në edicionet e ardhshme.

Por paraqitjet e tyre nuk kanë kaluar pa u vënë re edhe nga klubet më të njohura italiane dhe emrat në fjalë po monitorohen me kujdes nga skuadra të cilët luajnë në elitën e futbollit italian. Konfirmimi vjen indirekt nga një skaut i Fiorentinës, Xhovani Pisano, ish-sulmues i cili në karrierën e tij ka luajtur në Serinë B dhe C.

I emëruar si skaut i klubit të qytetit të Firences për zonën e Sicilisë, ai ka pohuar se emri që e tërheq e të cilin sigurisht ia këshillon vjollcëve është pikërisht ai i Erdis Krajës. “Djem të rinj ka, thjesht duhet të lëvizësh duke vëzhguar seriozisht, siç po bëj unë.

Më pëlqen shumë Kraja, në moshën 19-vjeçare bën pjesën e tij në mesfushë, me prirje të mira ofensive”, theksoi ai në një intervistë për “La Gazzetta Dello Sport”.

Një mesazh i qartë për djaloshin i cili ka treguar se nuk e ka të vështirë ambientimin në një skuadër të cilës iu bashkua në verë dhe nëse vazhdon me këto ritme, e pret një e ardhme e rëndësishme në futbollin italian. /vipsport/