Pogradeci ka fituar në provën e parë. I ka shënuar tre gola Tërbunit, në miqësoren e luajtur dje në stadiumin “Gjorgji Kyçuku. Vendësit dominuan totalisht, duke treguar se janë në rrugën e duhur për pjesën e dytë të sezonit. Goli i parë do të vinte pas 4 minutash, kur Bizi humb një top në mesfushë.

Përfiton P.Ivani që pason te Myslimi dhe ky i fundit nxjerr Peqinin të vetëm përballë portierit. Sulmuesi i ardhur në këtë merkato, shënon dhe debuton me gol në të parën ndeshje me këtë fanellë. Janë liqenorët ata që kontrollojnë më së shumti lojën, por pa raste konkrete. Luftojnë fort dhe pukjanët, por ajo tentativë në ë 26-ën, nuk e sjell barazimin. Trashani tenton të surprizojë Baçin me një goditje vertikale, por sfera shkon pak mbi traversë.

Në të 30-ën shtylla e djathtë i mohon golin Peres, ndërsa në të 33-ën Danlandi godet në shenjë. Një këndore gjen lojtarin, që me kokë çon topin në rrjetë për 2-0. Kaq për këtë pjesë, ndërkohë që e dyta nis thuajse me penallti. Ekzekuton saktë Shkulaku dhe në 3-0, liqenorët nisin me zëvendësimet masive. Edhe pse u ndërrua i gjithë formacioni, renditemi i lojës nuk ra.

Janë të besuarit e Samuel Nikajt që vazhdojnë të kërkojnë rrjetën, por Kazeem, Shkulaku, Xh.Ivanin nuk kanë shënjestër. 90 minuta lojë dhe kryesori Abazaj i jep fund takimit. Edhe pse një ndeshje miqësore, kryesori nuk kursehet duke i treguar 4 herë të verdhin 4 lojtarëve.