Egnatia po luan sezonin e dytë radhazi në elitën e futbollit shqiptar dhe ka arritur shumë shpejt të vërë emrin mes skuadrave serioze dhe me pretendime madhore.

Rrogozhinasit janë në gjysmëfinale të Kupës, pasi eliminuan Laçin, Skuadra e Edlir Tetovës pati barazuar në sfidën e parë në shtëpi pa gola, por shpërtheu në Laç, duke shënuar tre gola dhe duke u kualifikuar në katërshe, ku e pret një mes Tiranës, Vllaznisë dhe Teutës.

Pavarësisht gëzimit për suksesin, nuk ka shumë kohë për festë dhe skuadra ka nisur menjëherë përgatitjet për ndeshjen e radhës ndaj Teutës, që është një përballje mjaft e vështirë për faktin që durrsakët janë në një moment të mirë.

MUNGESAT – Misioni për të fituar këtë ndeshje kalon nëpër pengesa jo të vogla. Trajneri Edlir Tetova do të duhet të bëjë pa disa lojtarë për shkak të pezullimeve me kartonë. Konkretisht janë tre. Portieri Alen Sherri, Donald Mëllugja dhe Arbin Zejnullai. Të tre kanë plotësuar numrin e katër kartonëve të verdhë. Ndërkohë, shqetësuese është gjendja fizike e mesfushorit Majkëll Agbekpornu, i cili në ndeshjen e Kupës la fushën para kohe për shkak të një dëmtimi në minutën e 34-t.

ZËVENDËSUESIT – Në vend të Alen Sherrit pritet të aktivizohet Bruno Puja, i cili në sezonin e shkuar ishte titullar dhe është një portier me mjaft eksperiencë. Nga ana tjetër, tre nga të pezulluarit janë mesfushorë dhe kjo e vë në alarm këtë repart.

Alternativa të vetme të Mëllugjës dhe Zejnaullait janë letonezi Eduard Emsis dhe Bledar Lila. Një mundësi mund të jetë edhe Henri Xhoel, ndërsa në rastin e një mungese të mundshme të Akbekpornut, kandidatura e parë është qendërmbrojtësi shtatlartë, Aleksandër Kacbufi.