Portieri i Kombëtares, Thomas Strakosha është duke kaluar një formë të shkëlqyer me skuadrën e Lacios.Gardiani shqiptar ka qenë shpeshherë protagonist absolut me pritjet e tij, duke mbajtur të paprekur portën. Të njëjtën gjë bëri edhe në sfidën e ditës së dielë ndaj Interit, ku Lacio triumfoi me rezultatin 0-1.

24-vjeçari ishte një nga më të dalluarit në fushë, duke evituar disa sulme të rrezikshme. Të shumta kanë qenë vlerësimet në mediat italiane për Strakoshën, teksa së fundmi, portali i gazetarit të famshëm, Ginaluca Di Marzio e vlerëson portierin shqiptar si një nga më të mirët e muajit.

“Portieri më i mirë i muajit të fundit, ku Lacio e tij ka fluturuar lart në këto javë. Kundërshtari i radhës? SPAL në transfertë të mërkurën. Me Strakoshën në portë, duhet të ndihesh më i sigurt”, shkruhet në përshkrimin e bërë nga “gianlucadimarzio.com” për Strakoshën. /PANORAMA-SPORT/