Shpëtim Moçka “skanon” 270 minutat e para të kampionatit. Kthesën e quan të vonuar, ndërsa humbjen në start me Luzin të pafalshme.Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, portieri saktëson se vend për relaks nuk ka. Ai thekson se qetësi do të jenë vetëm kur të arrijnë elitën. Nëse vjet iu afruan kualifikimit përballë Vllaznisë, vlonjati mendon se këtë herë do të jenë ata që do të shkojnë larg në Kupën e Shqipërisë.

Fitorja e parë erdhi vetëm në javën e tretë. A jeni më të qetë tani?

Erdhi vetëm me Turbinën e para fitore dhe mund ta them, ishte e vonuar. Duhet të kishte ardhur më parë, pasi luajtëm dy ndeshje në Vlorë. A jemi të qetë? Kurrsesi, jo. Të qetë do të jemi vetëm kur të kemi arritur objektivin final dhe dihet tashmë se çfarë duam ne. Kur të kapim Superioren, atëherë do të jemi të qetë.

Çfarë ndodhi në dy ndeshjet e para?

Në fakt, bëmë një start jo të mirë. Me Luzin e mundëm vetë vetën tonë, jo se na mundi kundërshtari. Ndërsa me Korabin, ekipi ynë vinte nga rezultat zhgënjyes edhe nuk bëmë paraqitjen e duhur.


Kundërshtari i radhës për ju është Besa, a do të arkivoni tri pikët e radhës?

Me Besën do të futemi në fushën e lojës vetëm për tri pikët. Fitorja është detyrim për objektivin që ne kemi si klub dhe si skuadër. Asnjë rezultat tjetër nuk na duhet apo bën punë.


E njihni mentalitetin e trajnerit Gugash Magani. Do t’ju ndihmojë ky fakt?

Po, patjetër që e njoh profesorin, pasi kam punuar në dy klube me të, te Flamurtari dhe Teuta. Unë e respektoj, por në Vlorë do të mundet. Në këtë ndeshje do të fitojë Flamurtari.


Si e shikoni këtë kategori, të vështirë?

Të them të drejtën është një kategori e fortë, por ne e kemi organikën për të përballuar çdo kundërshtar dhe për të arritur objektivin që kemi, Superioren.

Përpara Besës, prisni Vllazninë për Kupën e Shqipërisë. Synoni të ecni sa më larg në këtë kompeticion?

Po, është e vërtetë që kemi ndeshjen e Kupës së Shqipërisë dhe e luajmë të hënën me Vllazninë. Natyrisht që është një ndeshje e fortë. Ne jemi Flamurtari dhe duam t’i shkojmë sa më larg edhe Kupës së Shqipërisë.


Në këto ndeshje po mbani shiritin e kapitenit, pasi Ribaj është i dëmtuar. Si ndiheni?

Është nder, privilegj, por edhe përgjegjësi për mua të mbaj shiritin e kapitenit të Flamurtarit.