Paris Saint-Germain fitoi me rezultatin e thellë 6-1 ndaj Angers në ndeshjen e vlefshme për javën e 6-të në Ligue 1. Mirëpo nuk kishte vetëm gëzim tek parisienët, pasi në prapaskenë pati sulme dhe kundërsulme, ku protagonistë ishin trajneri, Thomas Tuchel dhe drejtorit sportiv, Leonardo.

Disa minuta pas konferencave për shtyp të Thomas Tuchel dhe Stephane Moulin pas ndeshjes, Leonardo u ngjit në foltore për të takuar gazetarët. Drejtori sportiv kishte një mesazh për të dhënë. Për merkaton? Jo vetëm.


Tema kryesore ishte Thomas Tuchel dhe konferenca e tij për shtyp para ndeshjes, gjatë së cilës ai u ankua për merkaton e bërë nga drejtori sportiv. Dhe përgjigjja ishte e ashpër nga ana e Leonardos.

“ Nuk më pëlqeu deklarata. Klubi, gjithashtu, nuk i kupton ato. Duke parë situatën, momenti që po kalojmë të gjithë, është shumë serioz. Po, duke mos e kuptuar këtë situatë, sinqerisht, ne nuk i vlerësuam komentet. Do ta shohim nga brenda se çfarë do të bëjmë. Por diçka është shumë e qartë. Nëse dikush nuk është i lumtur, ne mund të flasim, nuk ka asnjë problem. Nëse ai vendos të qëndrojë, duhet të respektojë politikën e klubit, rregullat e brendshme ose momentin që po kalon skuadra, i cili është delikat, ” tha Leonardo së pari, përpara se t’i përgjigjej pyetjes në lidhje me mundësinë e një sanksioni.

“Ne gjithmonë i bëjmë gjërat brenda klubit. Nuk e vlerësuam aspak. Nuk është çështje e merkatos, është çështje e formës. Do ta shohim. Për të qëndruar në këtë klub, duhet të jemi të lumtur, të japim gjithçka për këtë klub, të kemi shpirtin e sakrificës. Për mua personalisht kjo është. Nëse mund të blejmë lojtarë, mirë, nëse nuk mundemi, le të vazhdojmë. Kjo është fryma që ne po kërkojmë, ” tha ai, para se të siguronte se kjo nuk ishte një arsye për shkarkimin e trajnerit Tuchel. Ditët në vijim premtojnë të jenë jashtëzakonisht të tensionuara mes Tuchel dhe Leonardos.