Tomas Strakosha është shumë afër 200 prezencave në portë me fanellën e Lacios. Këtë shifër do ta plotësojë derbi kundër Romës në fundjavë. Ndeshja e radhës në kampionat nuk do të jetë njësoj si sfidat e tjera për Lacion, teksa të dielën në orën 18:00 do të luajnë derbin e dytë të sezonit.
NDESHJA NUMËR 200 ME LACION
Kur hedh një vështrim te protagonistët që pritet të zbresin në “Olimpico” të dielën, Strakosha me shumë mundësi do të prekë shifrën e 200 prezencave me lacialët. Me përjashtim të ndonjë surprize apo ngjarjeje të paparashikuar, portieri do të jetë titullar në portë, vend që ia doli ta rifitojë pas mbërritjes së Pepe Reinës dhe aktivizimit të tij.
Portieri i datëlindjes 1995, sikur të mos mjaftonte, është drejt skadencës së kontratës dhe gjithçka është e turbullt sa i përket rinovimit. Një pjesë e mirë e tifozëve të kryeqytetasve shpresojnë që të vijë firma nga portieri. Pas disa paraqitjeve të mira Strakosha ka gëzuar një besueshmëri të lartë, ndaj edhe vazhdon të jetë numri një në portë.
REKORDET E PORTËS
Krahas kësaj, sa i përket rrjetës së paprekur, Strakosha është afër arritjes së një portieri tjetër që ka shkruar historinë me Lacion. Në këtë renditje speciale, Federiko Marketi ka mbajtur 68 herë rrjetën e paprekur, ndërsa Strakosha në ndeshjen e fundit kundër Venecias arriti shifrën e 61 ndeshjeve që nuk është mposhtur me gol. Ndërkohë, portieri më pak i mposhtur në historinë e Lacios është Luka Markexhani me 145 ndeshje.
STRAKOSHA
Në lidhje me këtë dhe ecurinë e Lacios është vetë Strakosha që ka folur: “Po ecim mirë, nuk e di nëse është ekipi më i fortë që kur kam ardhur këtu, por sigurisht që është një nga më të mirat. Kemi një skuadër të pjekur. Shumë nga ne kanë luajtur së bashku prej shumë vitesh. Me kalimin e kohës jemi rritur si brenda fushe, ashtu edhe jashtë saj, prandaj kjo na bën edhe më të përgjegjshëm”, u shpreh fillimisht portieri që vazhdoi të fliste edhe për planin individual:
”Unë, 4 ndeshje larg nga Feliçe Puliçi? Nuk e dija se isha kaq pranë një legjende si ai. Kjo gjë më bën krenar të hyj në historinë e Lacios. Mendoj, kur erdha në fillim isha shumë i ri, në moshën 16 vjeç dhe si i arrita këto shifra me këtë fanellë. E gjithë kjo ka ardhur falë familjes sime, të gjithë trajnerëve që kam pasur ndër vite, shokëve të skuadrës, tifozëve dhe klubit. Unë do t’u jem gjithmonë mirënjohës të gjithëve”, përfundoi portieri i Kombëtares, Tomas Strakosha.