Ndonëse në verë bën një vit që është bashkuar me skuadrën e Paris Saint-Germain, Lionel Messi nuk po mundet ta gjejë veten aty. Argjentinasi u duk komlet i pafuqishëm në ndeshjen që Real Madridi i eliminoi prej Champions League.

Kjo formë e Messit, por jo vetëm edhe të pjesës tjetër të skuadrës së PSG-së, ka acaruar tifozët e tyre, të cilët në ndeshjen e fundit i fishkëllyen të gjithë, përveç Kylian Mbappe.

Teksa nga mbështetësit e PSG-së u kërkua largimi i argjentinasit, sipas mediave franceze ky i fundit nuk e ka marrë aspak në konsideratë një gjë të tillë, ndërsa ka vendosur t’u përgjigjet në fushën e lojës.

Sipas raportimeve të “Le Parisien”, Lionel Messi është befasuar nga fishkëllimat në “Parc des Princes” në ndeshjen kundër Bordo të dielën. Megjithatë, numri 30 i PSG-së ka vendosur që përgjigjen t’jua japë me performancën në fushën e blertë.