Thomas Brdariç nga mbrëmja e djeshme nuk është më trajner i Vllaznisë. Pas humbjes me përmbysje ndaj Tiranës dhe komplikimit të misionit për arritjen e objektivave, drejtuesit kanë vendosur të ndërpresin marrëdhënien me trajnerin kroato-gjerman. Lajmin e bëri të ditur vetë klubi përmes një deklarate zyrtare.

Një vit e shtatë muaj zgjati eksperienca e Brdariçit me Vllazninë, teksa duhet të themi se ai ka mjaft meritë në rikthimin e shkodranëve në skenën konkurruese të elitës së futbollit shqiptar. Gjatë drejtimit të Vllaznisë ai u shpall nënkampion vitin e shkuar, teksa fitoi edhe Kupën e Shqipërisë, që kthehej në Shkodër pas plot 13 vitesh.

Në këtë edicion aktual nën drejtimin e tij, Vllaznia renditet në vendin e katërt, në garë për një vend në Europë dhe ndodhet në gjysmëfinale të Kupës. Dalja nga objektivi titull dhe luhatjet e fundit në rezultate janë shkaku që drejtuesit kanë vendosur të ndahen me 47-vjeçarin.

PRAPASKENAT – “Panorama Sport” mëson se kanë qenë drejtuesit ata që i kanë komunikuar trajnerit dëshirën për të ndarë rrugët mes tyre.

Ky i fundit fillimisht ka rezistuar, duke iu shprehur se mund të vazhdojnë me kushte të reja mbi kontratën dhe jo vetëm, por përgjigjja e klubit ka qenë sërish negative duke u shprehur se, sipas tyre, gjithçka është e konsumuar dhe vetëm largimi do t’i bëjë mirë Vllaznisë.

Qëllimi i klubit ka qenë që palët të ndahen me konsensus, për të shmangur penalitetet e FIFA-s dhe i ndodhur në një situatë aspak komode, Brdariç ka shprehur kushtet e tij të fundit.

Ai i ka kërkuar klubit pagesën totale të rrogave të prapambetura dhe pagën e muajit aktual. Klubi e ka miratuar këtë kërkesë të tij dhe gjithçka është mbyllur. Gazeta mëson se paga e trajnerit kroato-gjerman ishte rreth 7 mijë euro.

STATISTIKAT – Vllaznia është eksperienca më jetëgjatë e karrierës së Brdariçit si trajner. Ish-lojtari i një sërë klubesh të Bundesligë qëndroi në stolin e kuqebluve në plot 76 ndeshje duke regjistruar 39 fitore, 16 humbje dhe 21 barazime, me një mesatare pikësh prej 1.82 për ndeshje. Vllaznia e Brdariçit shënoi 116 gola dhe pësoi 58 të tillë.