Prej kohësh është thënë se drejtuesit e rinj të shoqatës “Djelmnia shkodrane” kishin si prioritet dërgimin e lojtarëve më të talentuar për t’u stërvitur dhe provuar në ekipe italiane dhe jo vetëm.

Dhe lëvizja e parë është bërë tashmë realitet. Mëngjesin e sotëm, një nga lojtarët më të talentuar të kësaj shoqate, pikërisht sulmuesi Aldo Nikaj, i shoqëruar nga njëri nga trajnerët e tij- Fatmir Marku dhe presidenti Benardin Kulla, janë nisur drejt Italisë.

Nuk bëhet i ditur emri i klubit ku do të provohet megjithatë e rëndësishme është që presidenti Kulla po bën realitet premtimin e bërë dhe pas Nikës, edhe të tjerë lojtarë të talentuar të ekipeve të kësaj shoqate, mund të provohen në vendin fqinj.

I datëlindjes 5 korrik 2004, Aldo Nika ka spikatur në kampionatet rajonale që zhvillohen në Shkodër dhe disa prej tyre është vlerësuar edhe me kupat si sportisti më i mirë i tyre. Jo vetëm kaq, por ai është edhe pjesë e ekipeve kombëtare rajonale dhe padyshim që ka spikatur.

Tashmë, falë mundësive që i ka krijuar presidenti i shoqatës “Djelmnia shkodrane” Benardin Kulla, ai do të ketë shansin të tregojë vlerat e tij edhe në klubet italiane dhe nëse bind, karriera e tij mund të marrë drejtim tjetër.
© shkodrasport.com