Presidenti i Partizanit, Gazment Demi, ka folur së fundmi gjatë, ku ka prekur disa tema, mes tyre edhe çështje të nxehta, që e përfshijnë klubin e kuq. Demi kërkon që luhatjet të marrin fund, teksa shton se ka besim të plotë te Kolela.

Ai flet edhe për kompleksin dhe për “çmendurinë” financiare që ka bërë në investimin, që në total pritet të shkojë më shumë se 10 milionë euro.

FITORJA – “Derbi është një pjesë e lojës, është kënaqësia më e madhe për tifozërinë. Me gjithë ato gabime të vogla të tifozëve, përsëri shkoi shumë mirë. Fati ishte në krahun tonë. Nuk është derbi vendimtar. Ne ishim 4 pikë para dhe dolëm 6 pikë mbrapa”.

KAMPIONATET – “Të jem korrekt trajneri më bind shumë. Lojtarët ndoshta nuk e dinë ende se çfarë fanelle kanë veshur. Kampionatet e mia janë tre. Në kohën time, Partizani doli një herë kampion. Kjo shitja e Skukës ishte shumë e mirë për biznesin tonë.

Kompleksi ende nuk ka përfunduar plotësisht. Stadiumi i ka dimensionet për stadium serioz. Hoteli është në përfundim. Kemi problematikën, që s’dua ta zgjas. Edhe një njeri qorr e kupton se çfarë po bëhet atje. Kryetari i bashkisë erdhi dhe e pa. Erioni do të na bëjë një rrugë të dedikuar”.

LUHATJET – “Oshilacionet e skuadrës nuk po i kuptoj. Bëjnë ndeshje të shkëlqyera ndonjëherë, siç ishte ajo me 10 lojtarë ndaj Erzenit. I thashë trajnerit të luajmë me 10-të. Na kthyen ndeshjen dhe me Vllazninë e me Laçin. Besoj se ekipi e ka marrë veten”.

KOLELA – “Trajneri ka episodet e veta në çdo konferencë. Tha se nuk jemi për kampionë, për t’ia hequr presionin lojtarëve. Është mirë apo keq, do ta gjykojmë në një kohë të dytë. Partizani që në fillim luan për kampion. Mendoj se tani do t’i kemi mundësitë më të mira për titullin. Trajneri po punon mirë, ka besimin tim të plotë. Të shpresojmë që të vazhdojmë në këtë rrugë”.

VLLAZNIA – “Nuk ka vlerë trepikëshi i derbit, nëse nuk fitojmë në Shkodër. Fituam derbin e kaluar dhe shkuam karrocë në 5 ndeshje. E rëndësishme është vazhdimësia. Partizani nuk është dorëzuar nga Kupa, edhe ne mund të bëjmë 2 gola”.

LIGJI I SPONSORIZIMIT – “Jemi marrë shumë me ligjin e sponsorizimit. Ndoshta teknika ishte e gabuar. Nuk është lënë pas dore. Për mua më e rëndësishme është që të bëhet si Kosova. Jo aq sa e ka Kosova, por t’i njihet tatim-fitimi 5%. Bazikja do të jetë Ligji i Sponsorizimit. Ne ende nuk e dimë kur do të hapen bastet dhe vetëm shpenzojmë. Unë pagova dhe lejen e ndërtimit prej 110 mijë eurosh. Sikur kam bërë ndërtim tamam, jo ndërtim sporti”.

KOMPLEKSI – “Që kur e kam marrë, e kam thënë që Partizanin dua ta bëj me shtëpi. Vetëm një i çmendur si unë mund t’i shkonte kësaj deri në fund. Unë e di çfarë kam hequr deri në këtë ditë, por nuk dua të qahem. I gjithë projekti i kompleksit shkon diçka më shumë se 10 milionë euro. Edhe federata na ka ndihmuar, brenda mundësive që ka, ka bërë goxha”.

MËNJANIMI I DREJTORIT – “Olsi (Rama) nuk është shkëputur asnjë ditë nga Partizani. Ka qenë si në rezultate të mira dhe në të këqija. Ka qenë në mbështetjen time. Ka pasur një problem shëndetësor me gjurin. Olsi ka shkuar që në mëngjes në zyrë për t’i rregulluar premiot çunave. Intrigat e gazetarëve janë të tmerrshme. Kemi një bord serioz, sa edhe mua donin të më shkarkonin, por më thanë se skuadrën duhet ta paguaj unë”.

TITULLI – “Partizani ka vetëm këmbët e veta për të dalë kampion. Nuk e pengon asnjë njeri. Mendoj se te 51% jemi në rrugën e duhur për t’u shpallur kampion”, tha Demi në një prononcim për “MCN”