Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka i ftuar në emisionin “L’America” ka folur ndër të tjera edhe për Europianin U21 që zhvillohet vitin e ardhshëm në vendin tonë duke u ndalur tek disa problematika që po hasen në organizimin e tij.
“Për ne është një event shumë i madh. Për mundësitë, aftësitë dhe madhësinë e vendit, eksperienca që kemi është e tillë që ky është një event i madh dhe ne kemi kohë që kemi filluar përgatitjet. Për ne mbeten edhe të vështira, sepse duhet të përgatitet e gjithë infrastruktura.
Vërtet eventi zgjat vetëm afërsisht 20 ditë, por për t’u përgatitur për ato 20 ditë duhet shumë kohë. Duhet shumë kohë për të përgatitur fushat e stërvitjes, stadiumet, pavarësisht se nga jashtë duket sikur ne i kemi gati, por realisht nuk i kemi gati për një event të tillë.
Duhet të bëjmë shumë ndërhyrje në stadiume. Duhet të bëjmë shumë ndërhyrje në infrastrukturën sportive dhe kemi filluar punën me kohë. Me thënë të vërtetën, i gjithë stafi i Federatës është vënë në dispozicion të grupit të punës së UEFA-s, sepse ata e udhëheqin procesin. Por kemi pak mbështetje dhe përkrahje nga autoritetet vendore dhe lokale.
Uroj që të zgjohen nga gjumi. Po mendoja, në fakt, dhe e kam menduar edhe gjatë këtyre ditëve, sepse më ka pëlqyer ai festimi që kanë bërë të gjithë tifozët norvegjezë. Edhe ato pamje nga parlamenti më pëlqyen shumë. Thashë me vete: sikur të shkonin në Botëror edhe këta të parlamentit tonë do të bënin kështu, se këta bëjnë vetëm kur shkon në Botëror ose Europian. Tani që ne nuk jemi, na quajnë të vdekur, por ne duhet të punojmë që të jemi prapë të gjallë.


