Pas pushimit të së dielës, këtë të hënë Besëlidhja u grumbullua për të nisur javën stërvitore. Përballjen e pestë të kampionatit, lezhjanët do ta luajnë në Tiranë ndaj Dinamos.

Kjo është një sfidë që skuadra e Alban Brukës po e vlerëson maksimalisht, pasi humbja në shtëpi ndaj Tërbunit i ka lënë vetëm me katër pikë. Si çdo fillim jave stërvitore, edhe këtë të hënë para nisjes së seancës, Besëlidhja iu nënshtrua një analize, ku i pranishëm ishte edhe presidenti Gjok Noka.

Humbja me përmbysje me Tërbunin ishte e papritur, prandaj dhe drejtuesit ende nuk e kanë marr veten psikologjikisht. Pas analizës, për “Panorama Sport”, ka folur vetë presidenti Noka, i cili nuk i kurseu kritikat.

DEKLARATA E PRESIDENTIT

“Ndeshja ndaj Tërbunit duhej të fitohej, pasi ishin të gjitha mundësitë. Ekipi arriti që të shënonte dy gola, që është thuajse fitore e sigurtë, por ndodhi ndryshe, duke e mbyllur pjesën e parë në barazim 2-2.

Ky rezultat nuk i përgjigjet as logjikës kur je në avantazhin e dy golave. Siç duket, ekipi e kujtoi të fituar ndeshjen, ndaj edhe nuk u orientua. Kjo nuk duhet të ndodhë dhe shpresoj shumë që nuk do të përsëritet.

Është e dhimbshme kur të rrëmbehet nga dora fitorja me avantazhin e dy golave. Duke shpresuar se pjesën e dytë do të kishte reflektim nga ana e ekipit, ndodhi e kundërta.

Pësuam, dhe kjo gjë na kushtoi gjithë ndeshjen. Më vjen keq që ndodhi kështu. Ekipi në pjesën e dytë, edhe më mirë se të parën, arriti që të zhvillonte volum të madh loje, të krijonte raste tepër të pastra shënimi, por shpërdoroi.

Humbja ndaj Tërbunit ishte një aksident që u shkaktua nga shumë shkaqe, gjë për të cilat folëm në analizë. Ashtu siç e theksova më lart, humbja të shtunën ishte një aksident dhe këto nuk i dëshiron njeri, por ato ndodhin dhe kuptohet se janë të hidhura.

Kam besim se stafi dhe ekipi do të reflektojnë pozitivisht që në ndeshjen e radhës ndaj Dinamos, pasi nuk u mungon as mbështetja nga ana ime dhe as kualiteti i ekipit”, ka thënë fillimisht kreu i klubit lezhjan. Noka është optimist se Besëlidhja do të bëjë kthesën ndaj Dinamos, një ndeshje që do të luhet të dielën në orën 12:30 në stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet.

“Humbja e së shtunës nuk është ndonjë tragjedi e pakthyeshme, por një kambanë që duhet dëgjuar me mend në kokë. Jam optimist për ekipin dhe stafin, pasi jemi në hapat e para të kampionatit dhe kemi kohë e mundësi për të rikuperuar pikët e humbura. Stafi dhe ekipi e kanë konsumuar një pjesë të mirë të marzhit të gabimeve.

Kështu, në vijim duhet të mendohen mirë para çdo ndeshje, pasi kemi një objektiv që e kemi pranuar të gjithë dhe unë dua që t’i afrohemi sa më shpejt”, përfundoi presidenti Noka.