Liga Unike, eventi i përbashkët i basketbollit me skuadra nga Shqipëria dhe Kosova, ka zhvilluar katër javët e para të sezonit të rregullt. Një aktivitet mbarëkombëtar që ka dhuruar ndeshje mjaft interesante, por që gjithashtu nuk po qëndron as larg polemikave.

Arqile Gorea, presidenti i Teutës, skuadrës që kryeson kampionatin, në një intervistë për “Panorama Sport” ka hedhur akuza të forta për ndërhyrje nga Federata Shqiptare në këtë aktivitet, kryesisht për pjesën e arbitrimit.

Ndërhyrje për të cilat kreu i skuadrës bregdetare shprehet se e bëjnë të besojë se në këtë event kemi të bëjmë me manipulime dhe trukime të ndeshjeve, të cilat, siç dihet, kuotohen edhe në baste. Gorea kërcënon deri me tërheqje nga gara, nëse Liga Unike nuk vepron si një institucion i pavarur.

“Unë mendoj që janë të vërteta fjalët që qarkullojnë, që ndeshjet trukohen dhe manipulohen. Pas fjalëve trukim apo manipulim, vjen edhe konkluzioni logjik…

A marrin pjesë ndeshjet tona në baste? Nga të gjithë specialistët që kemi pyetur na kanë thënë që po. Atëherë, mos ka diçka këtu që nuk shkon dhe që kërkohet të menaxhohet në mënyrë të njëanshme… sepse kjo sjell shumë pasoja, e para nuk kemi drejtësi në gjykimin e ndeshjeve.

E dyta, ne jemi një shoqatë e pavarur basketbolli, që aderojmë dhe kontribuojmë në federatë, sipas kuotave të caktuara. Gjithashtu, kemi të drejtën tonë edhe të refuzojmë dhe jo vetëm të bindemi.

Në fund të fundit, në raporte, nuk kemi pse të marrim ne urdhra arbitrarë nga njerëz që nuk japin asnjë kontribut për basketbollin, përkundrazi kanë përfitime nga ky sport kaq i bukur dhe kërkojnë të ndërhyjnë në mënyra nga më të shëmtuarat”- ka thene nder te tjera Gorea.