Klubi i Flamurtarit po bën gati provat për të çuar në prokurori arbitrin Kreshnik Cjapi, i cili ishte kryesor në ndeshjen e 20 marsit në Vlorë ndaj Dinamos, që përfundoi 0-1 për blutë. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, presidenti Sinan Idrizi e akuzon si të shitur gjyqtarin nga Fieri, por edhe FSHF-në. Ai theksoi se kreu i federatës, Armand Duka, nuk mund të bëhet dot burrë shteti, ndërsa komentoi edhe dënimin e dhënë nga Disiplina për mbylljen e stadiumit.

Zoti Idrizi, Disiplina dënoi Flamurtarin duke i mbyllur stadiumin…

Përfundimisht këta na treguan ne dhe na kthyen me këmbë në tokë duke na e thënë qartë, se nuk duhet të keni më iluzione se kush janë. Këta i kanë në gene këto histori. Histori me qytetin e Vlorës… E kanë në gene, sepse nuk mundet dot… Në rregull, mua dhe mund të më dënosh, nuk ka problem fare. Madje më bëjnë nder. Por, problem është që nuk mund të shkelësh dot një qytet të tërë që t’i mbyllësh stadiumin, për atë shfaqje të shëmtuar që këta vetofruan. Kjo është një ngjarje që është gjithmonë shkak-pasojë. Ky dënim ne na kthen me këmbë në tokë. Është historia e atij që ndërron qimen, por nuk ndërron zakonin. Janë klasike këto lloj gjërash në Shqipëri. Ne thjeshtë duhet që të jemi të qartë, nuk duhet që të kemi më iluzion.


Çfarë doni të thoni me këtë?

Me njerëzit e vegjël përfundimisht duhet të jesh i qartë. Janë njerëz të vegjël në shpirt, në mentalitet dhe në vizion. Njerëz që mund të kapin majat e pushtetit të tyre, por përfundimisht ngelen të vegjël. Unë i këshilloj që në vogëlsinë e tyre që kanë, madhësia e Flamurtarit dhe Vlorës nuk krahasohet me këta. Kur ka qenë koha e mesjetës, këta përdornin këto masa për të ndëshkuar.

Ka qenë kohë më e errët, por këtu kemi të bëjmë me kohën më të errët në historinë e futbollit në Shqipëri. Pas një dështimi që ke me sistemin e futbollit në vend, pas largimit të elitës së futbollit nga Superiorja, tani kemi dëshirën e madhe për të larguar tifozët nga stadiumet. Ata që janë në krye po tregojnë se ne jemi këtu që vendosim për çdo gjë, ne jemi këtu që edhe kur gabojmë, ne jemi ata arrogantët, që bëjmë çdo që. Me njerëzit e vegjël nuk dialogohet tashmë, por merren masat për të fituar…

Sa e dëmton ky dënim Flamurtarin që kërkon të kthehet në elitë?

Nuk dëmton vetëm Flamurtarin. Dëmton imazhin e asaj që duhet të kemi ne për sportin. Pse nuk bëjnë një koment për atë që bënë arbitrat, rreth asaj që flitet dhe përflitet. Këta vetëm shikojnë tekat e tyre, të kenë një vijë lineare në drejtimin e tyre dhe nuk ju intereson që stadium aty ishte plot me të rinj dhe me të reja, që deri në ato momente nuk kishte asgjë ngjarje.

Ata nëse kanë kurajë, të marrin Sinan Idrizin ta çojnë në prokurori dhe ta akuzojnë për shpifje, unë këtë pres. Unë e them publikisht dhe akuzoj arbitrin që drejtoi ndeshjen atë ditë si njeri të shitur. Atëherë FSHFja dhe arbitri të më akuzojnë mua nëse kanë burrëri për shpifje dhe të më ndëshkojnë penalisht.