Vllaznia për femra ka shkruar historinë, duke u kualifikuar në grupet e Champions League. Një arritje që nuk e kishte bërë asnjë klub shqiptar dhe që i ka bërë krenarë të gjithë.

Një nga këta persona është edhe presidenti i Vllaznisë së femrave, Lazër Matija, i cili në një prononcim për mediat pas kësaj arritjeje, u shpreh shumë falënderues ndaj të gjithëve dhe theksoi se ky moment është tepër i gëzueshëm për të gjithë, prandaj le ta shijojmë.

“Sukses historik? Në rradhë të parë, faleminderit prej ju të medias, faleminderit të gjithëve. Eshtë një moment i gëzuar për qytetin, është i gëzuar për mbarë opinionin sportiv dhe veçanërisht për opinionin futbolldashës në Shqipëri. Eshtë një arritje shumë e madhe, është një arritje që në sportin shqiptar, do jetë arritja më e madhe, sepse të futesh në 16-ekipet më të mira të Europës, është arritje shumë e madhe.

Me punën e bërë, me dëshirën e këtyre vajzave, me kualitetin që ata kanë, me punën që është bërë ndër vite, nuk ishte krejt ëndërr, sepse ne kemi hyrë me objektiva të qarta. E kemi deklaruar që në turin tjetër që ne do të pretendojmë të futemi në grupet e Kupave të Europës dhe fatmirësisht, ia arritëm qëllimit.

Ne edhe në grupe nuk shkojmë për të shëtitur, shkojmë të tregojmë vlerat tona dhe normalisht vështirësia është e madhe, sepse ekipet të cilat do të na bien, niveli i tyre është më i lartë në Europë dhe në botë.

Unë mendoj se kualifikimi është mëse i merituar, edhe për atë që u dha në fushë, edhe për atë që u dha në ndeshjen e parë, edhe për se si erdhën situatat, ky ekip siç e patë vetë e meritoi, sepse nuk u tregua inferior asnjëherë.

Kemi vrarë ndërgjegjen e atyre të pandërgjegjshmëve. Ne kemi punuar dhe do të punojmë, sepse ky ekip nuk është vetëm krenaria e qytetit, por edhe krenaria e Shqipërisë dhe mbarë trojeve shqiptare. Kjo është një krenari kombëtare.

Në futboll, loja kolektive është primare. Unë mendoj se futbollistet e afruara ishin një pjesë e mirë e boshtit të ekipit, që prej vitesh luan dhe ka këto nivele. Kështu që, nuk mund të diferencoj askënd. Diferencën e bëri grinta e këtyre vajzave për të arritur aty ku kishim objektivin.

Familjen time nuk do ta përfshij fort këtu, edhe pse është një meritë e madhe e sukseseve. Duhen përfshirë këto vajza, mundi i këtyre vajzave dhe mendoj që, maksimumi i këtyre do të tregohet edhe në grupe. Kështu që, ta shijojmë këtë moment, sepse kemi kohë për të menduar edhe për ndeshjet tjera”,-mbylli prononcimin e tij, presidenti i Vllaznisë së femrave, Lazër Matija.
Maringlen ZHIVANI