Objektivi i Vllaznisë së femrave përveç kampionatit është i fokusuar edhe tek Kupa e Shqipërisë. Presidenti i këtij ekipi Lazer Matija është i bindur se vajzat kuqeblu do ta fitojnë edhe sivjet këtë trofe i cili do të jetë i gjashti rradhazi për të.

Ai ka qenë i ftuar në emisionin “Sport Shoë” mbrëmjen e sotme në TV1 Channel dhe është shprehur optimist se Vllaznia e femrave do ta kalojë pikësëpari kundërshtarin e rradhës, Kinostudion me të cilin do të ndeshet këtë fundjavë.

“Kaluam në turin e parë ekipin e Termit dhe tashmë në gjysmëfinale do të ndeshemi me Kinostudion. Unë jam i bindur se do ta kalojmë edhe këtë kundërshtar dhe do presim pastaj edhe finalen për ta fituar sërish këtë trofe e këtë besim e bazoj tek elementi që kemi në skuadër, tek puna që bëhet çdo ditë në stërvitje”.

Presidenti Matija ka folur edhe për suksesin e sportistes së tij Megi Doçi e cila u rendit si golashënuesja më e mirë në botë për vitin 2018. “Më ka kënaqur ky fakt sepse kemi të bëjmë me një sportiste cilësore.

Ajo që më kënaq mua është se golat e kësaj sportisteje nuk janë shënuar vetëm në futbollin shqiptar ku mund të thuhet se niveli është i dobët dhe golat është e lehtë të shënohen. Por Doçi ka shënuar edhe në Champions League me Vllazninë, por edhe me kombëtaren shqiptare”.
© shkodrasport.com