Të martën pritet që klubi i futbollit Vllaznia të marrë rrugë për sa i përket privatizimit. Klubi më i vjetër pritet që do njohë pronarët e rinj. Nga sa mësohet, ditën e martë pritet që të nisë edhe ankandi për shitjen e tij. I shtyrë për 2 muaj si pasojë e gabimeve në shkresat e ankandit, Komisioni i Prokurimit Publik bllokoi ankandin deri në përmirësimin e termave ligjore pas ankesave të dy biznesmenëve për diskriminim.

Një prej tyre ishte edhe ish-presidenti i fundit i klubit të futbollit Vllaznia, Valter Fushaj. Tanimë shkresa e re e ribërë është finale, me pjesën e sponsorizimeve të ngjashme që është hequr. Gazeta zbulon se sponsorizimet e tjera të mëparshme në ekip duket se nuk do të njihen ose do të ndryshohen. Shtojca 5.2 pika “u” e dokumentit është hequr, teksa ka pasur ndryshime edhe në pikën “q” të saj.

Këto pika me sa mësohet kanë bërë që të gjithë të interesuarit që do të jenë në garë do të jenë të barabartë dhe pa favorizime siç ishin në aktin e parë që ishin për këtë ankand. Bashkia Shkodër, si pronare e klubit, ka nxjerrë në shitje skuadrën në masën 10% me vlerën fillestare që është afërsisht 600 milionë lekë të vjetër.

TË INTERESUARIT

“Panorama Sport” mëson se të interesuarit janë sponsori aktual i klubit të futbollit Vllaznia, z. Alban Xhaferri, po ashtu ish-presidenti i klubit të futbollit Vllaznia, Valter Fushaj një nga personazhet që ka lënë gjurmë në klubin e futbollit Vllaznia.

Nën drejtimin e tij klubi i futbollit Vllaznia u shpall edhe fituese e Kupës së Shqipërisë në vitin 2008, e fundit e fituara nga kuqeblu. Një tjetër firmë që përfaqësohet nga një tjetër shkodran si z. Almiro Gurakuqi janë emrat e vetëm që kanë dalë në skenë që kanë dorëzuar letrat që në startin e ankandit.