Jakob Ueber është një gazetar zviceran që shkruan prej vitesh të tëra për sportin në Zvicër dhe e njeh shumë mirë skuadrën e Bazelit. “Panorama Sport” ka kontaktuar me kolegun e “CH Media” në Zvicër, për të mësuar më shumë rreth Bazelit, si është situata me tifozët atje dhe pse kjo skuadër ka pësuar rënie të madhe gjatë viteve të fundit.

Jakob, si është situata me tifozët në Bazel? Do të vazhdojnë protestat dhe sa veta do të ketë në stadium në sfidën kundër Partizanit?

Për momentin në Zvicër, rregullat janë të tilla: duhet të kesh certifikatën COVID ose duhet të kesh marrë të dy dozat e vaksinës. Këto janë rregullat që ka vendosur qeveria dhe askush nuk e di sa tifozë do të jenë në stadium, pasi nuk janë dakord me vendimet e qeverisë. Bazeli ka një tifo-grup që rri gjithmonë pas porte dhe e ndjek ekipin kudo, por ata njoftuan në faqen tyre zyrtare që nuk do të jenë në stadium ditën e enjte, por do të jenë jashtë stadiumit, në shenjë proteste kundër qeverisë.

Kur kampionati do të fillojë të dielën, ende nuk dihet nëse do të ketë tifozë në stadium, por të gjithë janë shprehur se nuk i pëlqen aspak fakti që të kenë certifikatën e COVID.

Kundër Partizanit do të ketë tifozë në stadium, por nuk do të jenë nga ata që janë ultras. Mendoj se do të jenë rreth 10 mijë tifozë në stadium, që nuk janë shumë, pasi në ndeshjet tjera para pandemisë, minimumi ishte 20 mijë tifozë. Kjo është situata me tifozët për momentin dhe është për të ardhur keq, pasi Bazeli ka tifozët më të zjarrtë në Zvicër. Madje, ata i kanë blerë të gjitha biletat vetëm për të ndihmuar klubin financiarisht, por nuk do të jenë brenda në stadium.

Përballë Partizanin, Bazeli është favorit në letër. Mendoni se do ta kenë të lehtë?

Jo, absolutisht. Do të jetë ndeshja e parë e sezonit për Bazelin dhe në miqësore, kanë fituar 2 ndeshje dhe kanë humbur 2 të tjera, prandaj është e vështirë për të thënë se ku është Bazeli për momentin. Kanë ardhur shumë lojtarë të rinj, shumë janë larguar.

Pak a shumë është një ekip i ri, por lojtarë si Stoker, Kasami, Frei e të tjerë, kanë shumë kualitet dhe eksperiencë. Lojtarët e Bazelit e dinë se janë favoritë, por nuk mendoj se do të fitojnë me shumë gola, madje as lojtarët nuk e kanë marrë lehtë dhe të mendojnë se do të fitojnë 5- 0. Mendoj se do të jetë një fitore 1-0 ose 2-0, por dhe Partizani mund të shënojë në Zvicër me aq sa i kam ndjekur.

Duke e njohur më mirë Bazelin, mund të na shpjegoni se pse nuk është më një ekip që merr pjesë në grupet e Ligës së Kampionëve? Pse ka ardhur kjo rënie?

Ka pasur shumë probleme me bordin drejtues të klubit. Kur ishte president Bernhard Burgener, kishte shumë probleme në klub. Ekipi nuk luante mirë, tifozët u acaruan. Burgener më pas bleu një klub në Indi dhe shumë gjëra u bënë bashkë që acaruan tifozët dhe protestat kanë qenë të shumta.

Në fillim të këtij viti, pati protesta edhe të ashpra kundër Burgenerit, i cili u detyrua ta shesë kubin. Më pas, David Degen mori maxhorancën e aksioneve të klubit dhe tashmë, ka nisur ringritja e Bazelit. Ka pasur shumë debate në distancë mes Burgenerit dhe Degenit, derisa shitja u kompletua. Shitja ka ndodhur në maj dhe të gjithë tifozët ishin të lumtur, por jo vetëm tifozët, pasi i gjithë qyteti e urrente ish-presidentin. Tani është një start i ri që nis me ndeshjen kundër Partizanit.

Kush do të jetë lojtari më i rrezikshëm i Bazelit dhe a mund të rikthehet sërish ky klub në nivelet më të larta të futbollit europian?

Pas 4 vitesh mungesë në Ligën e Kampionëve, Bazeli e ka të vështirë të arrijë dhe Kupat e Europës. Por, këtë sezon do të synojnë të shkojnë deri në fazën e grupeve, pasi është shumë e nevojshme edhe nga ana financiare. Është e vështirë të ringrihen menjëherë, pasi lojtarët nuk janë më ata që kanë qenë, si dhe nuk ka më talente që mund të premtojnë për të ardhmen.

Bazeli ka pasur Granit Xhakën, Xherdan Shaqirin, Bril Embolon, Mohamed Salah e shumë lojtarë të tjerë. Lojtari më i rrezikshëm është sulmuesi Artur Kabral, është sulmuesi brazilian. Ka shënuar 21 gola sezonin e shkuar dhe është lojtari më i rëndësishëm.

Si e ka përshkruar media zvicerane sfidën mes Bazelit dhe Partizanit?

Media zvicerane është e fokusuar te Bazeli, e kanë konsideruar si ekipi favorit. Nuk e njohin shumë Partizanin, prandaj nuk ka shumë interes. Të gjithë këtu mendojnë se Bazeli do të kualifikohet pa u munduar shumë. Nuk ka shumë interesim për Partizanin, por kështu ndodh çdo vit kur ekipet zvicerane luajnë kundër ekipeve që nuk njihen shumë.