Armando Vajushi është një nga futbollistët më të mirë shkodran që ky qytet ka nxjerrë. Ai ka luajtur për herë të fundit si mesfushor sulmues ose anësor për klubin e Ligës së Dytë në Rumani, Petrolul Ploieshti, teksa tashmë është një futbollist i lirë.

Vajushi ka lindur më 3-dhjetor 1991 dhe ai bëri debutimin e tij për të rriturit për Vllazninë në vitin 2009, në moshën 17-vjeçare. Ai u transferua jashtë vendit te klubi bullgar, Litex Lovech në janar të 2012 dhe tre vjet më vonë, falë përformancës së mirë, fitoi një transferim te Chievo në Itali.

Ai nuk bëri asnjë paraqitje për ekipin italian dhe i kaloi sezonet në vijim në Serinë B, përpara se të kthehej në Shqipëri me Teutën e Durrësit në vitin 2019. Në vitin 2020, Vajushi iu bashkua Petrolul Ploieshti në Rumani. Ndërkohë me Kombëtaren, ai rregjistroi debutimin e tij të parë për ekipin e Shqipërisë, në një humbje 0-4 në miqësoren ndaj Argjentinës në qershor të 2011.

Vajushi është produkt i akademive të klubit të qytetit të tij, Vllaznisë, ku ka qenë pjesë për tre vite përpara se të niste të luante në futbollin profesionist. Vajushi bëri debutimin e tij si futbollist profesionist për Vllazninë në Europa League kundër Rapidit të Vienës më 16-korrik 2009, duke hyrë në minutën e 77-të, si zëvendësues për Fetim Kasapin në humbjen 5-0.

Ai bëri debutimin e tij në kampionat në ndeshjen hapëse më 23-gusht 2009 kundër Besës së Kavajës, duke zëvendësuar Ansi Nikën në minutën e 72-të në humbjen 2-0. Gjatë sezonit 2010-2011, Vajushi ishte një futbollist për t’u parë me shumë interes dhe u përshkrua si një nga perspektivat më të mira në Shqipëri, pas një kampionati të suksesshëm, në të cilën ai bëri 32-paraqitje në kampionat për Vllazninë.

Më pas, ai kaloi në provë në skuadrën e Bundesligës së parë gjermane, FC Koln, para fillimit të sezonit 2011-2012. Megjithatë, Koln nuk e vazhdoi interesin e saj për futbollistin shkodran, pasi ata e konsideruan çmimin e tij prej 300-mijë eurosh shumë të shtrenjtë.

Madje, ai shënoi dy herë në një miqësore të fituar 7-0 kundër Vorgebirgsauswahl dhe u përshkrua nga trajneri Stale Solbakken si shumë i shpejtë, madje edhe mendërisht dhe se ai ishte i bindur në aftësinë e tij. Megjithatë, gjithçka u mbyll aty për aty.

Më 3-janar 2012, Vajushi iu bashkua fituesve të titullit kampion në kampionatin bullgar, Litex Lovech, me një kontratë tre-vjeçare e gjysmë, për një tarifë prej 100-mijë eurosh. Ai bëri debutimin e tij në një fitore 3-0 në shtëpi ndaj Vidima-Rakovski më 3-mars, duke hyrë në lojë si zëvendësues për Galin Ivanov.

Më 12-maj, Vajushi shënoi golin e tij të parë, duke shënuar të katërtin për fitoren 5-0 të Litex ndaj Kaliakra Kavarna. Më 2-mars 2013, ai shënoi dy gola në fitoren 0-2 jashtë fushe ndaj CSKA Sofia dhe disa ditë më vonë, ai u votua nga gazetarët si futbollisti i kampionatit bullgar të javës së 16-të.

Në sezonin 2012-2013, Vajushi luajti në të 30-ndeshjet e kampionatit për Litex dhe e përfundoi sezonin me 9-gola. Më 10-gusht 2013, Vajushi shënoi golin e 1000-të të Litex në kampionatin bullgar, në një fitore 5-1 jashtë fushe ndaj Pirin Gotse Delchev.

Vajushi e përfundoi pjesën e parë të sezonit 2013-2014, me gjithsej 24-paraqitje, përfshirë edhe dy në Kupën e Bullgarisë. Poashtu, me 9-gola, teksa ishin 8-gola të shënuar në kampionat, duke u pozicionuar në vendin e 10-të në renditjen e golashënuesve më të mirë të kampionatit dhe gjithashtu edhe një gol tjetër të shënuar në Kupën e Bullgarisë.

Gjithashtu, Vajushi dha gjithsej edhe 9-asist, duke u pozicionuar në vendin e dytë pas Zdravko Lazarov, në renditjen e asistimeve më të mira të kampionatit. Në atë sezon, Litex u pozicionua si nënkampion në tabelën e kampionatit.

Vajushi e përfundoi sezonin 2013-2014, duke shënuar gjithsej 11-gola, përfshirë edhe një në Kupën e Bullgarisë, në 33-paraqitje dhe Litex u rendit i treti në tabelën e kampionatit, duke fituar të drejtën për të luajtur në UEFA Europa League për sezonin e ardhshëm.

Më 1-shkurt 2015, Vajushi nënshkroi për ekipin italian të Seria A, Chievo Verona, duke u bërë futbollisti i dytë shqiptar, që transferohet në Itali gjatë afatit kalimtar të dimrit, pasi Andi Lilës që u transferua në Parma. Aty aventura e tij nuk shkoi fort mirë dhe më 20-korrik 2016,

Vajushi u transferua te Pro Vercelli, teksa më parë kishte qenë edhe te Livorno, ku me të dy ekipet nuk arriti të shfaqë atë që pritej prej tij.Pas këtyre ekipeve, Vajushi iu bashkua Teutës së Durrësit dhe Petrolul Ploieshtit në Rumani. Me durrsakët, luajti vetëm 9-ndeshje, ndërsa me ekipin rumun për dy vite në 34-ndeshje, arriti të shënojë 16 gola.

Ndërkohë me Kombëtaret, ai bëri debutimin e tij me ekipin e Shqipërisë U-19, në kampionatin europian të UEFA U-19, më 13-nëntor 2009, në ndeshjen hapëse kundër Italisë, teksa përfundoi me humbjen e thellë 5-0. Vajushi erdhi në këtë ndeshje si zëvendësues në minutën e 59-të të pjesës së dytë në vend të Edon Hasanit.

Më pas, Vajushi u thirr për ndeshjen përmbyllëse të Kombëtares së Shqipërisë U-21, të kualifikimeve për kampionatin europian kundër Azerbajxhanit, më 4-shtator 2010. Ai bëri debutimin e tij për Shqipërinë U-21 kundër Azerbajxhanit, duke hyrë si zëvendësues në minutën e 63-të, në vend të Ardit Shehaj dhe ndeshja përfundoi me humbje 3-2.

Për kualifikimin për kampionatit europian të U-21, Vajushi luajti në shtatë nga tetë ndeshje, të gjitha si titullar, ku u zëvendësua në vetëm një ndeshje, teksa Shqipëria U-21 ishte e fundit pas Rusisë, Portugalisë, Polonisë dhe Moldavisë, me një fitore dhe dy barazime, 11-gola të shënuar dhe 18 të pësuar.

Ai bëri debutimin e tij për Kombëtaren e Shqipërisë A, më 20-qershor 2011, në një ndeshje miqësore kundër Argjentinës. Vajushi shënoi golin e tij të parë për Shqipërinë më 8-qershor 2014, duke luajtur si titullar kundër San Marinos dhe duke shënuar golin e dytë në minutën e 32-të. Gjithashtu, dha edhe një assist për golin e parë të shënuar nga Mërgim Mavraj, në minutën e 28-të.

Kjo pra ishte karriera e futbollistit shkodran, Armando Vajushi, një prej atyre lojtarëve më të mirë që Shkodra ka nxjerrë vitet e fundit. Megjithatë, tashmë për momentin, ai është një futbollist i lirë. Suksese në të ardhmen tënde Armando!
Maringlen ZHIVANI