Veteranët e sportit shkodran tashmë kanë edhe ata shoqatën e tyre. Grupi inisiator ka bërë rregjistrimin në gjykatë dhe pasditen e së hënës ka bërë edhe promovimin  e saj në ambjentet e bar- restorant “Elita”. Në ceremoninë e organizuar kanë marrë pjesë veteran të ndryshëm por natyrisht që numri I tyre ka për të ardhur duke u rritur shumë në të ardhmen. Sipas kryetarit të kësaj shoqate Dashamir Sherjes dhe njërës prej anëtareve të kryesisë së saj, Artenca Krujës, qëllimi I tyre do të jetë organizimi I aktiviteteve të ndryshme në mënyrë që veteranët e sportit shkodran të mos ndihen të braktisur dhe të vetmuar. “Inisiativa e një grupi sportistësh veteranë për krijimin e shoqatës së tyre është bërë tashmë realitet. Sëbashku me Ramazan Rragamin, Renato Radojën, Mhill Shkëmbin, Genc Barkiçin, Artenca Krujën, Kol Shirokën, Angjelin Dedën e Gjovalin Mosin e morëm këtë inisiativë sepse të gjithë ishim të mendimit se një shoqatë e tillë i mungonte këtij qyteti që ka nxjerrë me qindra kampionë e sportistë të nderuar dhe padyshim që ata nuk duhet të ndjehen për asnjë moment të harruar e të braktisur. Ne kemi ndër mend të organizojmë shumë aktivitete dhe besoj se edhe me ndihmën e njerëzve të ndryshëm do ia dalim të bëjmë diçka të bukur”- ka thënë kryetari i zgjedhur i kësaj shoqate Dashamir Sherja. Nga ana tjetër, anëtarja e kryesisë Artenca Kruja ka shtuar: “Jam në këtë shoqatë për të përfaqësuar të gjithë gratë dhe vajzat që merren me sport. Jam pjesë e saj për t’i shërbyer me aq sa të mundem në mënyrë që të bëjmë gjëra të bukura me të për t’i bërë të gjitha shoqet e mia që të ndihem mirë edhe në këto vite kur tashmë e kemi lënë sportin”.Hapi I parë I rëndësishëm është hedhur tashmë, krijimi I shoqatës. Natyrisht që në të ardhmen pritet të shohim se cilat do të jenë aktivitetet e saj në mënyrë që veteranët e shumtë të sportit shkodran përmes kësaj shoqatë  të ndihen të respektuar. Shumë shpejt do të nisë edhe anëtarësimi i anëtarëve të rinj të cilët do të paguajnë një kuotazicion mujor me të cilin do të organizohen aktivitete të ndryshme për veteranët e sportit shkodran.

© shkodrasport.com