Emërimi i tij në krye të ekipit të volejbollit të meshkujve të Vllaznisë është pritur mjaft mirë nga ana e tij. Në fakt, Adrian Mikopli e konsideron disi të parakohshme marrjen e një detyre të tillë por gjithsesi thotë se ndjehet i nderuar me të. “Ndoshta nuk e prisja tani sepse isha fokusuar tek puna me ekipin e vajzave të reja dhe pse jo, mbase edhe me të rriturat. Por propozimit të ardhur nga kolegu dhe miku im Mark Kroqi, më bëri të ndryshoj mendje. Nuk mund t’i thoja “jo” sepse në fund të fundit, kjo është një “piacë” e lartë.Besoj se çdokush që merr vesh nga sporti, është i nderuar të drejtojë Vllazninë dhe i tillë ndjehem edhe unë”- ka thënë ai për “SHKODRA SPORT”. Por, i pyetur nëse është një përgjegjësi e madhe drejtimi i një ekipi kampion, Mikopli përgjigjet: “Natyrisht që është një përgjegjësi sepse marr përsipër të drejtoj një ekip kampion. Suksesi i madh që paraardhësi im Kroqi arriti me të, është e vështirë të ruhet sepse dihen vështirësitë por kjo nuk do të thotë se unë jam dorëzuar. Përkundrazi do ta nis punën që ditën e parë me objektivin e qartë për fituar titullin e dytë kampion në historinë e Vllaznisë”. Dëshira e tij është e madhe për të bërë më të mirën për këtë ekip. Mikopli është një nga ish- volejbollistët e njohur të këtij ekipi në vitet ’80 por për 25 vite me rradhë, i angazhuar me gjëra të tjera nuk deshi t’ia dinte për këtë sport. Por oferta për të marrë drejtimin e ekipit të të rejave të Vllaznisë e bëri atë të rikthehej pranë këtij sporti dhe ka qenë një rikthim i suksesshëm sepse këtë sezon që sapo u mbyll ka arritur të shpallet kampion. Por për të, tashmë nis një histori tjetër, ajo me ekipin e të rriturve të klubit shkodran.

© shkodrasport.com