Ndonëse ka vetëm pak ditë që ka përfunduar kampionati dhe të gjithë ekipet sapo kanë nisur pushimet, në media kanë filluar të qarkullojnë shumë emra, kryesisht për largime por edhe për afrime lojtarësh nga kuqeblutë. Megjithatë, e gjithë kjo zhurmë që sapo ka nisur, duket plotësisht e pavend sepse tek Vllaznia për momentin askush mendjen tek merkatoja. Kjo derisa të ndodhë takimi i shumëpritur i drejtuesve të klubit dhe i stafit teknik me kryebashkiaken Ademi. Të paktën kështu flitet nga burime pranë klubit shkodran. Ky takim për momentin nuk mund të realizohet ngaqë trajneri Cungu ndodhet jashtë vendit me pushime dhe pritet të kthehet në fund të kësaj jave. Pas kthimit të tij do të presim lajme të reja nga kampi shkodran. Sepse prej tij do të priten zhvillime të reja. Duke nisur nga çështja e pankinës së Vllaznisë për sezonin e ri dhe po ashtu edhe për gjëra të tjera që kanë të bëjnë me funksionimin e kësaj skuadre. Ditët e fundit po bëhet e sigurtë që nga ekipi do të ketë 7-8 largime futbollistësh, kryesisht joshkodranë por edhe të ndonjë futbollisti të këtij qyteti. Realisht  largime do të ketë por nuk dihet me saktësi se kush do të largohet dhe kush do të qëndrojë. Po ashtu, flitet dhe për oferta që gjoja Vllaznia u ka bërë futbollistëve të ndryshëm duke filluar nga Hasani, Moçka e ndonjë tjetër, por realisht në këtë mes nuk ka asgjë të vërtetë. Kjo ngaqë këtyre futbollistëve nuk ka kush t’ua bëjë ofertën për momentin pasi nuk ka asgjë të sigurtë se kush do të jetë trajneri dhe sa do të jetë buxheti për sezonin e ri. Gjithsesi, zhurma e merkatos është e zakonshme në periudha të tilla por e rëndësishme është që të mos ndodhë siç ka ndodhur në vitet e kaluara kur flitej për emra të mëdhenj dhe projekte të mëdha por në fund, Vllaznia i gëzohej qëndrimit në Superligë. Problemi është që të mos ndodhë kështu edhe në sezonin e ri.

© shkodrasport.com