Ditën e sotme, Vllaznia U19 ka fituar me rezultatin 0-2 në ndeshjen e prapambetur, atë “derbi” me KF Shkodra, e cila u zhvillua në fushën e kompleksit sportiv “Zmijani”. Antonio Delaj, i siguroi fitoren ekipit të Vllaznia U19, teksa në minutat shtesë të takimit do të shënonte edhe golin e dytë dhe të fundit të kësaj ndeshje.

Në një intervistë për “Shkodra Sport”, sulmuesi anësor ka treguar objektivin e tij personal që ka për këtë sezon, teksa ka folur jo vetëm për ndeshjen e sotme të fituar ndaj Shkodrës, por edhe për synimet e tij për të ardhmen.

“Sot fituam derbin me Shkodrën. Ishte një ndeshje e luftuar prej të dyja ekipeve, por besoj se e merituam fitoren e sotshme ndaj Shkodrës. Ne kemi një ekip me lojtarë shumë cilësorë dhe besoj se me shumë punë, ne do ta fitojmë kampionatin.

Sigurisht që ndihem mirë për çdo gol që shënoj, pasi shpërblej besimin e trajnerëve dhe shokëve të ekipit. Shpresoj të shënoj sa më shumë gola për ekipin tim.

Personalisht, unë e shikoj ekipin tonë shumë të fortë me rivalët tonë. Ne kemi një frymë të mirë në ekip, besojmë shumë te njëri-tjetri. Trajnerët po punojnë shumë çdo ditë në stërvitje dhe për mendimin tim kemi lojtarë shumë cilësorë, meritojmë ta fitojmë kampionatin dhe të sjellim trofeun në Shkodër”,-thotë ai.

Delaj flet edhe për marrëdhëniet që ka ai me stafin teknik dhe në veçanti me trajnerin Vioresin Sinani.

“Me trajnerin Sinani kemi marrëdhënie shumë të mira. Ai beson te unë dhe aftësitë e mia si lojtar. Po ashtu, nuk duhet lënë pa përmendur edhe zv/trajneri, profesor Malvini dhe profesor Kadija, të cilët janë një ndihmesë për ne si lojtarë dhe së bashku janë një staf shumë i përkushtuar ndaj nesh.

Me veten jam deri diku i kënaqur, por pres më shumë nga vetja ime. Objektivi im është të dal golashënues i kampionatit. Gjithashtu, shpresoj që në një të ardhme të afërt të luaj për ekipin tim të zemrës, Vllazninë. Sinqerisht, do isha shumë krenar nëse një ditë do të luaja për këtë fanellë të madhe”,-thekson Delaj.

Anësori ka edhe një dedikim për golin e shënuar sot ndaj Shkodrës, teksa poashtu beson shumë se në fund ai dhe skuadra me të cilën luan, do ia arrijnë qëllimit të shpallen kampionë për 19-vjeçarët.

“Sa i përket ndeshjes së rradhës, luajmë ndaj Lushnjës. Lushnja duket një ekip i dobët, por nuk duhet nënvlerësuar. Do shkojmë në Lushnje për fitore.

Golin ia dedikoj prindërve të mi, të cilët më mbështesin gjithmonë në ndeshje. Për sa i përket trofeut, besoj se me punë e përkushtim, do ia arrijmë këtij qëllimi”,-mbylli prononcimin e tij, futbollisti i Vllaznia U19, Antonio Delaj.
Maringlen ZHIVANI