Finalja e Kupës së Shqipërisë e ka vendosur Vllazninë U-17 përballë ekipit Durrësi 04, falë fitores së marrë ditën e djeshme 2-4 përballë Apolonisë. Një ndër protagonistët e takimit ishte Gerald Kubazi, i cili ka qenë një ndër autorët e golave të ndeshjes së djeshme.

Në një prononcim të dhënë për “Shkodra Sport”, lojtari kuqeblu Kubazi, e konsideron finalen kundër Durrësit si një ndeshje shumë të fortë, por ai premton maksimumin në këtë takim.

“Jam shumë i lumtur që jam bërë protagonist këto dy ndeshje. Finalen kundër Durrësi 04 e shoh si një ndeshje shum të fortë. Mendoj se do jap më shumë se 100% tim në atë ndeshje.

Momentalisht, të ardhmen time e shikoj në ekipin e parë aty ku është synimi im. Bashkëpunimi dhe fryma e grupit që ka futur profesor Doçi, është shumë e favorshme për ne, sepse në ekip ka sjellur harmoni dhe ego për të fituar dhe besoj se do ia shpërblejmë profesor Doçit”,-thekson Kubazi.

15-vjeçari që ka spikatur në ndeshjet e fundit, thotë se e meritojnë që kupën ta fitojnë ata dhe ta sjellin në Shkodër.

“Do punojmë shumë fort për atë ndeshje dhe pse jo ta sjellim atë kupë në Shkodër, sepse e meritojmë”,-mbylli prononcimin e tij, lojtari i Vllaznia U17, Gerald Kubazi.
Maringlen Zhivani