Pasditen e sotme në Prishtinë është zhvilluar finalja e parë e garës për titullin kampion në volejboll për meshkuj në kampionatin kosovar.

Finalja ka qenë ajo në mes ekipit vendas të Prishtinës dhe Pejës, me të cilën luan edhe volejbollisti shkodran Nikolin Qafarena.

Ky i fundit ka vijuar të bëjë paraqitje të mira dhe ka ndihmuar skuadrën e tij që ta fitojë finalen e parë me rezultatin e pastër 3-0.

Vetëm seti i parë ka patur rivalitet por në fund është fituar nga pejanët 25-23 ndërsa në dy të tjerët epërsia ka qenë më e madhe dhe ato janë fituar me shifrat 25-20 dhe 25-17.

Me këtë fitore në transfertë, Peja tashmë është shumë pranë fitimit të titullit kampion të këtij sezon.

Finalja e dytë, ajo që do të përcaktojë gjithçka, do të luhet të mërkurën në Pejë.

Nëse fitojnë vendasit, do të jenë ato kampionët e këtij sezoni.

Nikolin Qafarena kësisoj ka mundësinë që të fitojë titullin e dytë kampion rradhazi, pas atij të fituar një sezon më parë me Vllazninë.
© shkodrasport.com