Qashif Hoxha nga dita e djeshme është emëruar në postin e drejtorit të Akademisë së klubit të futbollit Vllaznia. Emërimi I tij është bërë nga ana e drejtuesve të Bashkisë Shkodër. Arsyeja e një emërimi të tillë ka patur të bëjë me rritjen e performancës dhe një administrim më të mirë të kësaj Akademie e cila është dalluar në vite dhe vazhdon të dallohet për nxjerrjen e futbollistëve cilësorë. Hoxha ka eksperiencën e duhur për një administrim të tillë nisur edhe nga përvoja disavjeçare në drejtimin e disa institucioneve të tjera ku ka punuar më parë, përpos kësaj është edhe anëtar i Këshillit Bashkiak Shkodër prej vitesh. Po ditën e djeshme është bërë edhe prezantimi I drejtorit të ri të Akademisë përpara gjithë trajnerëve që punojnë aty dhe kuptohet që në kontaktin e tyre të parë, është folur edhe për gjërat që do të ndryshojnë në të ardhmen, me qëllim rritjen dhe përmirësimin e punës. Në fakt, emërimi I Qashif Hoxhës në këtë post, nuk ka patur të bëjë me ndonjë largim të tjetërkujt nga kjo detyrë. Thjesht, bëhet e ditur se është shtuar një funksion tek Akademia Vllaznia. Sa I takon Ismet Hoxhës, ai do të vazhdojë të mbajë detyrën e përgjegjësit të kësaj Akademie duke patur si objekt të punës së tij, anën sportive të ekipeve. Edhe këtë sezon, ekipet e moshave të klubit Vllaznia vazhdojnë të dhurojnë rezultate positive duke treguar se janë model në punën që bëhet megjithatë edhe me ndryshimet e fundit, pritet që gjërat të shkojnë edhe më mirë sa I takon menaxhimit të tyre.

Gjergj KOLA